Rajoni

Riregjistrimi i targave, qeveria e Kosovës: Kemi detyrim sundimin e ligjit!

“Qeveria e Kosovës shprehet se e ka detyrim zbatimin e ligjit, kushtetuetshmërinë dhe vendimet qeveritare. Këtë përgjigje dha kur u pyet nga Radio Evropa e Lirë lidhur me kërkesën e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për shtyrje dhjetëmuajshe të afatit për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës”. Për televizionin lokal, Kanal 10, Escobar saktësoi se këtë kërkesë për shtyrje e kanë bërë të gjitha vendet e Kuintit: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.

Ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato.

Afati për riregjistrimin e makinave në RKS nisi më 1 shtator e përfundon më 31 tetor.

Ne i kuptojmë shqetësimet e zv.ndihmës sekretarit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, përfaqësues i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i ndajmë me të, sepse siguria e paqja janë vlera, interes jetik dhe i përbashkët. Njëkohësisht, ne kemi për detyrim sundimin e ligjit, kushtetuetshmërinë, vendimet qeveritare. Nuk bën që njëra ta përjashtojë tjetrën.

Qeveria u bën sërish thirrje qytetarëve serbë të Kosovës t’i riregjistrojnë makinat.

Nuk është data 31 e as 30 tetor sot. Jemi në kuadër të fushatës për konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS.

Sipas rregulloreve në fuqi, çdo makinë që hyn në Kosovë i nënshtrohet akcizës, tatimit në import dhe tatimit mbi vlerën e shtuar. Nëse një qytetar i Kosovës blen një makinë në vlerë 7.000 euro të vitit 2015 e deri në 2.000 kubikë, çmimi që i duhet të paguajë në doganë rritet me 2.558 euro. Ky çmim shtesë nuk vlen për ata që do t’i riregjistrojnë automjetet me targa RKS.

Përveç kësaj, ata do të lirohen edhe nga tarifa për targën, ajo për pajisje me certifikatë të regjistrimit të mjetit dhe nga taksa administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve.

Tensionet rreth targave

Deri tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrim nuk do të shtyhet dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia. Këto targa konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, por janë toleruar në veri të Kosovës.

Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët në veri vendosën barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve u shty për më 1 shtator, edhe me kërkesë të ndërkombëtarëve. Ndërkohë u arrit marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011-ën, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.