Bota

Rusia: Kemi rrëzuar raketa amerikane ATACMS në Krime!

Sot në një njoftim zyrtar, Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur se mbi Gadishullin e Krimesë, forcat e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar katër raketa me rreze të gjatë veprimi të prodhimit amerikan. Ndryshe, këto raketa njihen si pjesë e Sistemit të Raketave Taktike të Ushtrisë (ATACMS) e që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur të dërgojnë në Ukrainë, në javët e fundit. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk dha më shumë detaje lidhur me njoftimin.

Më herët gjatë javës, zyrtarët rusë thanë po ashtu se Ukraina ka sulmuar Kriemenë me raketa ATACMS. Kjo në një përpjekje për të mposhtur mbrojtjen ajrore ruse në gadishullin e aneksuar, por gjashtë prej tyre Rusia pretendoi se i rrëzoi. Muajin e kaluar, një zyrtar amerikan tha se në javët e fundit, Uashingtoni ka dërguar raketa me rreze të gjatë veprimi në territorin e Ukrainës.

Raketat ATACMS, me rreze veprimi prej 300 kilometrash, për herë të parë u përdorën mëngjesin e datës 17 prill, ditë kur u sulmua një bazë ajrore ruse në Krime e që gjendet rreth 165 kilometra nga vijat e frontit në Ukrainë, siç njoftoi zyrtari.

Duket theksuar se fillimisht Pentagoni kishte kundërshtuar dislokimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, për shkak të shqetësimit se këto armë do të merreshin nga stoqet amerikane e do të dëmtonin gatishmërinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Po ashtu ka pasur shqetësime se Ukraina do t’i përdorte këto raketa për të sulmuar objektiva, thellë në territorin brenda Rusisë, gjë që do të mund të çonte në përshkallëzimin e luftës drejt një konfrontimi mes Rusisë e SHBA-ve. Siç dihet, në vitin 2014, Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme Krimenë nga Ukraina. Flota e saj e Detit të Zi është e stacionuar në këtë gadishull.

Dy ditë më parë, sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, premtoi 3 miliardë paund për ndihmën vjetore ushtarake për Ukrainën. Ai tha se shteti i tij do ta ndihmojë “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, duke shtuar se Londra nuk ka kundërshtime nëse armët e saj përdoren për sulme brenda Rusisë, deklaratë që nxiti reagime të ashpra nga Moska, e cila ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës në muajin shkurt të vitit 2022.