Celebrities Showbiz

Së shpejti Rihanna vjen me dyqane fizike për linjën e saj “Savage x Fenty”!

Thuhet se këngëtarja dhe njëkohësisht sipërmarrësja e njohur Rihanna po planifikon që të hapë dyqane fizike për linjën e saj të të brendshmeve “Savage x Fenty” në të gjithë Amerikën vitin e ardhshëm. Shefja e marketingut dhe dizajnit të markës së miliarderes 33-vjeçare, Christiane Pendarvis, ka thënë se:

Po e shohim si një mundësi për klientët të cilët nuk ndihen rehat kur blejnë në internet.

“Business Insider” raporton se dyqanet në Evropë gjithashtu mund të jenë në plan të dytë, megjithëse nuk është konfirmuar ende asgjë. Me angazhimin në biznes, diva e muzikës vlerësohet se ka arritur një pasuri me vlerë 1.7 miliardë dollarë. Sipas “Forbes”, fitimet e saj marramendëse e bëjnë Rihanna-n si këngëtaren më të pasur në botë.

Sfilata e fundit e Rihanna-ës ‘Savage X Fenty Vol. 3’ ishte padyshim një nga sfilatat më seksi të modës e cila është zhvilluar kohëve të fundit. Vepra speciale e shumëpritur e Rihanna-ës ‘Savage X Fenty Vol. 3’ u shfaq edhe në Amazon Prime Video ditën e djeshme. Kjo sfilatë ishte plot me njerëz të famshëm që bënë një prezantim të mahnitshëm të veshjeve dhe të të brendshmeve të markës së miliarderes së famshme.

Ajo çfarë ra në sy dhe mori vëmendjen e të gjithëve ishte paraqitja e Behati Prinsloo, Gigi Hadid, Emily Ratajkowski, Irina Shayk madje edhe Cindy Crawford, të cilat u zhveshën për të sfiluar dhe për t’i lënë të gjithë pa fjalë. Pjesë e sfilatës ishin edhe vajza e Madonnës, Lourdes “Lola”, këngëtari Troye Sivan dhe aktoret Sabrina Carpenter dhe Vanessa Hudgens që gjithashtu treguan aftësitë e tyre.

Janë pikërisht bizneset e saj të modës dhe bukurisë që përbëjnë pjesën më të madhe të të ardhurave të saj. Rreth 1.4 miliardë dollarë vijnë nga 50 përqind e aksioneve të saj në “Fenty Beauty”, të cilën e nisi në shtator të vitit 2017. Pjesa tjetër besohet se vjen nga linja e të brendshmeve, me të cilat ylli debutoi në vitin 2018.