Rajoni

Serbia tronditet sërish, masakër me 8 të vrarë e 10 të plagosur me armë në disa fshatra!

Nuk ka paqe për Serbinë. Ndërsa vendi ballkanik është në zi kombëtare për 9 viktimat e 3 majit në një shkollë të Beogradit ku një 13-vjeçar vrau 8 nxënës e rojen e sigurisë, si dhe plagosi disa persona para se të kapej, raportohet tjetër masakër. Të paktën tetë persona u vranë dhe dhjetë u plagosën nga të shtënat me armë në disa fshatra të Mlladenovcit, në territorin e qytetit të Beogradit, njofton Radio Televizioni i Serbisë, RTS.

RTS informon se një person i moshës 21-vjeç, të cilit i jepen inicialet U.B hapi zjarr në Dubona, Mallo Orashje e Shepshin. Pas disa orësh në arrati, u arrestua në afërsi të qytetit të Kragujevcit.

Sipas disa mediave serbe, i riu qëlloi mbi njerëz me një automatik, pasi pati një debat me një oficer të policisë në një park në fshatin Dubona. Tre nga të plagosurit iu nënshtruan ndërhyrjes urgjente në një spital.

Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve të dhurojnë gjak. Ministri i Brendshëm, Bratisllav Gashiç e cilësoi ngjarjen “akt terrorist”.  Forca të shumta të policisë janë në terren. Në zonë shkuan edhe ministrja e Shëndetësisë, Danica Grujiçiç e shefi i Shërbimit të Zbulimit, Aleksander Vulin.

Në Twitter, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Europës, Marija Pejçinoviç Buriç u shpreh “e tronditur nga të shtënat e tjera masive në Serbi”.

Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe autoritetet në Serbi.

Një ditë më parë, qeveria serbe bëri të ditur se ka marrë vendim që të bëjë një rishikim të gjerë të lejeve ekzistuese për armët private. Të shtënat masive janë relativisht të rralla në Serbi, por zotërimi i armëve në këtë vend rezulton ndër më të lartit në Europë.