Bota

Shkëmbimi SHBA-Rusi/ Griner kthehet në shtëpi, trafikanti i armëve mbërrin në Moskë!

Ylli i basketbollit amerikan, Brittney Griner ka mbërritur të premten në shtëpinë e saj në Teksas, në përfundim të një rrugëtimi të gjatë dhe të mundimshëm.

Ajo u lirua të enjten falë një shkëmbimi me trafikantin rus të armëve Viktor Bout. Griner përballej me vite të shumta burg në Rusi, pasi një gjykatë e Moskës e dënoi atë për trafik droge.

Shkëmbimi i dy të burgosurve ndodhi në Emiratet e Bashkuara Arabe, vend që lehtësoi marrëveshjen mes SHBA dhe Rusisë. Dyshja kaloi pranë njëri-tjetrit kur ndërroi avionë.

Bout ishte dënuar nga një gjykatë amerikane me 25 vjet burg për trafik armësh. Ai u prit në aeroportin e kryeqytetit rus nga familja dhe nga media të shumta.

Administrata amerikane donte të përfshinte në marrëveshje edhe marinsin amerikan Paul Whelan, por nuk ia arriti qëllimit.

Whelan po vuan burgimin në Rusi për akuza të lidhura me spiunazhin. Stafi i presidentit Biden është zotuar se do të vazhdojë përpjekjet për ta kthyer atë në shtëpi.