Taylor Swift dhe Travis Kelce kanë ndezur sërish spekulimet për martesë, pasi raportime të reja pretendojnë se çifti ka ndryshuar planet për ceremoninë e tyre të shumëpërfolur për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
Sipas Us Weekly, këngëtarja dhe ylli i NFL-së fillimisht kishin menduar që dasma të zhvillohej në Rhode Island, me 13 qershor si një nga datat e përfolura dhe hotelin luksoz Ocean House në Westerly si një prej vendeve të mundshme për ceremoninë.
Megjithatë, burime pranë çiftit kanë bërë të ditur se ekipi i sigurisë ka analizuar disa lokacione të ndryshme dhe ka arritur në përfundimin se organizimi i një eventi të përmasave të tilla do të ishte shumë i vështirë.
Sipas raportimeve, vështirësitë për kontrollin e hyrjeve dhe daljeve, si edhe krijimi i një perimetri të sigurt për të ftuarit, bënë që Rhode Island të hiqej nga lista e opsioneve.
Ndërkohë, Page Six ka raportuar se ceremonia mund të zhvillohet më 3 korrik në Madison Square Garden në New York. Sipas të njëjtave burime, organizatorët po shqyrtojnë masa të rrepta sigurie, përfshirë mbylljen e disa rrugëve përreth dhe vendosjen e një tende të madhe në hyrje për të mbrojtur privatësinë e të ftuarve.
Në listën e të ftuarve përmenden emra të njohur të industrisë së muzikës dhe spektaklit, si Ed Sheeran, Selena Gomez, Gigi Hadid, Zoë Kravitz, Karlie Kloss dhe Suki Waterhouse.
Po ashtu, sipas këtyre raportimeve, në ceremoni mund të performojnë edhe Stevie Nicks dhe Tim McGraw.
Megjithatë, deri tani as Taylor Swift dhe as Travis Kelce nuk kanë konfirmuar zyrtarisht planet për martesë apo detajet e ceremonisë, duke lënë ende shumë pikëpyetje rreth një prej çifteve më të përfolura të momentit.