Bota

Shpërthimi në Paris, 1 viktimë e 37 të plagosur/4 vetë në gjendje kritike!

Shpërthimi i djeshëm në Paris, të paktën 1 i humbur dhe 37 të plagosur, 4 në gjendje të rëndë. Ky është bilanci më i fundit i ngjarjes tragjike që çoi në shembjen e një ndërtese, në zonën e qendrës. Sipas Prefekturës, “flakët janë shkaktuar nga një shpërthim ndoshta për shkak të një rrjedhje gazi”. Një re e trashë tymi i zi ishte e dukshme nga i gjithë qyteti. Fasada e godinës së djegur u shemb duke bllokuar njerëz. Disa dëshmitarë raportuan një erë të fortë gazi para shpërthimit, ndërsa të tjerë thanë se ditët e fundit ishin kryer punime në rrjetin e gazit në rrugë.

Policia dhe ushtria franceze rrethuan zonën për të lehtësuar punën e gati 300 zjarrfikësve që vepruan me shpejtësi. Pasi shumë vetë ndjenë erën e gazit, drita u shua në ndërtesën që gjendet në rrugën Saint-Jacques, pranë vendit Alphonse Laveran. Epiqendra e shpërthimit do të ishte shtëpia numër 277, ku ndodhet shkolla amerikane e artit dhe dizajnit American Paris Academy, e frekuentuar nga shumë të huaj, veçanërisht amerikanë e britanikë.

Në mbrëmje, ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin vizitoi zonën e shpërthimit në qendër të Parisit. Darmanin shprehu mirënjohjen e tij për ekipet e shpëtimit, policinë e mbi të gjitha zjarrfikësit që kërkojnë në rrënoja për viktima apo të mbijetuar të mundshëm. Më herët u shpreh:

Eshtë e mundur që gjatë natës të gjejmë më shumë trupa.

Sipas hetuesve, është shumë herët për të kuptuar shkaqet e shpërthimit, edhe nëse rrjedhja e gazit duket se po vazhdon. Sipas raportimeve të disa dëshmitarëve, në momentin e zjarrit u ndje një erë e fortë gazi.

Prokurori ka hapur hetimet për “dëmtime” të shkaktuara nga pakujdesia apo mirëmbajtja e dobët, hipotezë që sugjeron se autoritetet po anojnë drejt shpërthimit për shkak të gazit. Ndërprerja e shkurtër energjetike para momentit tragjik mund të konsiderohej sinjal i fatkeqësisë.