Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar themeluesja e “Luga e Argjendtë”, Dhurata Thanasi për të na folur më shumë rreth rolit që ka ushqimi në jetët tona. Le të diskutojmë fillimisht njëherë rolin e ushqimeve të paketuara për mënyrën se si ndikojnë ato te fëmijët. Për më shumë Thanasi na thotë:
Janë dy momente, të rritesh dhe të hash shëndetshëm dhe pjesa se si është përgjigjja e industrisë ushqimore kundrejt grupeve të ndryshme të moshave. Është një dedikim i familjes, shoqërisë por edhe qeverisë e cila merr vendimet. Të qenit aktivist i ushqimit do të thotë të jemi të përgjegjshëm për atë që hamë dhe për atë që i shkaktojmë planetit. Ne mund të hajmë mirë por nëse i shkaktojmë dëme planetit me ushqime të paketuara, të gjitha këto në fund të ditës janë kosto në shoqëritë tona. Ngrënia e shëndetshme lidhet me stilin e jetës që përmbledh jo vetëm ushqimin, por mënyrën si e kemi marrëdhënien me njëri-tjetrin, me tokën, me industrinë e ushqimit. Paketimi nuk është gjë e gabuar sepse një ushqim që përpunohet duhet të paketohet por janë kushtet si e paketojmë, kushtet që kemi para paketimit, këto dije duhet t’i njohë shoqëria.
Sa shëndetshëm ushqehen sot fëmijët shqiptarë?
Sheqeri që përdoret në lëngjet që ata konsumojnë është shumë i dëmshëm. Nuk ka për t’i shijuar lëngu portokallit që përgatitet në shtëpi por kërkon atë të industrisë që e di shumë mirë se cilat nerva të trurit provokon. Ne jetojmë në komunitet, im bir ka devijuar, e kam vënë që kohët e fundit kur jemi në vende të caktuara bën si shokët. Ne prindërit në vitet e para të rritjes së fëmijëve tanë jemi shumë të kujdesshëm, më pas kur fëmijë bëhet i zoti i vetes, i lirojmë të hajnë çfarë të duan. E kemi mendjen edhe ne si prindër të qëndrojmë në rrjete sociale, përtojmë të gatuajmë, etj. Të qetësohemi dhe të mendojmë më shumë për njëri-tjerin. Mësuesi në shkolla në atë 5-10 minutsh të mos hajë patatina vet e pastaj t’ju thonë fëmijëve mos i hani. Të jemi konsistent, të ndryshojmë ne dhe të edukojmë më pas fëmijët.