Sport

Skuadrat shqiptare gati për raundin e dytë të Conference League, të martën Tirana-Zrinjski!

SuperSport do të sjellë ekskluzivisht të tjera ndeshje të skuadrave shqiptare në kompeticionet europiane. Tirana, Laçi dhe Vllaznia do të garojnë në raundin e dytë të Conference League, njësoj si Shkëndija, Drita dhe Ballkani, ndërsa Shkupi do të sfidojë Dinamon e Zagrebit në raundin e dytë në Champions League.

Transmetimet e SuperSport fillojnë të martën (19 korrik) me përballjen Tirana-Zrinjski. Bardheblutë u eliminuan nga Dudelange në Champions dhe tashmë do të sfidojnë kampionët e Bosnjës në turin e dytë të Conference League.

Dueli i kampionëve të Shqipërisë nis në orën 20:00 të ditës së martë, përballje që mund ta ndiqni në SuperSport, që sjell edhe ndeshjen historike të Shkupit, ekipit shqiptar që fitoi titullin kampion në Maqedoninë e Veriut.

“Shvercerat” do të sfidojnë kampionët e Kroacisë në Zagreb të martën, teksa takimi i kthimit do të luhet më 26 korrik në Shkup, ndeshje që do të transmetohet në SuperSport.

Më pas Laçi e Shkëndija. Bardhezinjtë kurbinas do të luajnë me moldavët e Petrocub, ndërsa kuqezinjtë nga Tetova shorti i vuri kundër letonezëve të Valmiera.

Dy ekipet shqiptare do i luajnë në transfertë sfidat e para (21 korrik), ndërsa një javë më vonë (28 korrik) do të tentojnë kualifikimin në raundin e tretë të Conference League në shtëpi, përballje që SuperSport do t’i sjellë për të gjithë tifozët shqiptarë.

TRANSMETIMET E SUPERSPORT

Tirana-Zrinjski, e martë, 19 korrik (20:00)
Shkupi-Dinamo Zagreb, e martë, 26 korrik (21:00)
Laçi-Petrocub, e enjte, 28 korrik (20:00)
Shkëndija-Valmiera, e enjte, 28 korrik (20:00)