Aktualitet

Sokol Bizhga komandohet në krye të Policisë së Shtetit!

Numri dy i uniformave blu, Sokol Bizhga komandohet në detyrën e përkohshme të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullakut, i cili qëndroi dy vjet në këtë post. Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha përgëzoi Rrumbullakun për punën e deritanishme.

Dua të përgëzoj sinqerisht punën e deritanishme të drejtuesve të Policisë së Shtetit, me në krye dikur eprorin dhe sot mikun tim, drejtorin e Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku. Mirënjohje për të dhe për të gjithë ata që e sollën stafetën deri këtu me profesionalizëm e përkushtim ndaj uniformës, duke e thelluar më tej transformimin e Policisë së Shtetit, tha Hoxha.

Ministri u shpreh se në bazë të ligjit të ri të sapomiratuar të Policisë së Shtetit ka nxjerrë Udhëzimin për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe në zbatim të tij.

Hoxha i ftoi të gjithë drejtuesit të Policisë, të cilët janë sipas rangjeve të parashikuara nga ligji të kandidojnë për Drejtor të Përgjithshëm.

Nëse e kanë këtë ambicie të mos ngurrojnë. Procesi është i hapur dhe zgjedhja do të jetë e pandikuar nga asgjë tjetër, përveç vlerave individuale të çdo kandidature.

Deputeti demokrat, Ervin Salianji reagoi për ndryshimet në Polici e tha se Rrumbullaku u shkarkua me ceremoni.

Brenda 10 ditëve, Komisioni i Posaçëm, i ngritur për këtë proces, kryen vlerësimin paraprak dhe më pas harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore e të atyre që nuk i plotësojnë. Lista publikohet në faqe zyrtare dhe duhet të bëhet jo më vonë se dy ditë pune pas mbylljes së thirrjes për paraqitjen e shprehjes së interesit.

Komisioni organizon seancë dëgjimore me kandidatët dhe i njofton të paktën tre ditë para seancës dëgjimore. Kur e sheh të nevojshme, kërkon informacione të mëtejshme nga kandidatët, në organet publike ose punëdhënësi i kandidatit.

Brenda 48 orëve nga seanca e fundit dëgjimore, Komisioni përpunon të dhënat dhe harton tabelën përfundimtare të vlerësimit të kandidatëve. Më pas  i dorëzon ministrit renditjen e kandidatëve, në bazë të disa kritereve së bashku me formularin e vlerësimet me shkrim, për secilin kandidat. Secili kandidat vlerësohet në 4 kritere, me 100 pikë në total.

Në përfundim të renditjes, ministri i propozon kryeministrit një nga kandidatët me vlerësimin më të lartë. Propozimi i ministrit shoqërohet me një relacion, që shpjegon procesin e ndjekur, kandidatët që u kualifikuan, si dhe shkaqet për propozimin e kandidatit përkatës për drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Kryeministri ka tagrin e zgjedhjes apo emërimit të kryepolicit, pra firmos emrin.