Aktualitet Rajoni

Sot takimi jo formal në Tiranë i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor/Albin Kurti mungon!

Sot në Tiranë zhvillohet një takim joformal i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor. I pranishëm dhe eurokomisioneri për Fqinjësinë e Zgjerimin, Oliver Varheyli. Takimi vjen në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet më 16 tetor, po në kryeqytet.

Ndërsa këtë vit Shqipëria kryeson Procesin e Berlinit, kryeministri Edi Rama e paralajmëroi takimin joformal gjatë turneut dy-ditor në shtetet e Ballkanit Perëndimor, pak ditë më parë. Ky takim synon diskutimin dhe koordinimin, për të hartuar kërkesa të përbashkëta, për t’i paraqitur në samitin e tetorit, ku pritet të marrin pjesë liderë të vendeve të Bashkimit Europian.

Procesi i Berlinit u vendos në vitin 2014, me nismën e kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim lidhjen dhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor para se të anëtarësohen në Union.

Procesi i Berlinit shërben si platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e përbërë nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut e Serbia. Procesi përfshin dhe institucionet e BE-së, ato financiare ndërkombëtare e shoqërinë civile në rajon.

Samiti i nëntorit në Berlin përfaqëson dhe ringjalljen e procesit që kur kancelari Olaf Scholz drejton qeverinë në Berlin. Sipas njoftimit, samiti i ardhshëm do të organizohet në Tiranë.

Por, as ky takim joformal nuk pritet të ulë në një tryezë shefin e ekzekutivit shqiptar, Rama me homologun nga Kosova, Albin Kurti, marrëdhënia e të cilëve është ftohur prej disa muajsh.

Një projektstatut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, i propozuar nga Rama, si dhe anulimi i mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, e planifikuar për më 14 qershor, i ka rritur tensionet mes Ramës e Kurtit. Ata kanë preferuar të argumentojnë me njëri-tjetrin nga distanca, përmes deklaratave.

Mospajtimet mes dy udhëheqësve kulmuan më 6 korrik kur Kurti refuzoi të takonte Ramën, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Prishtinë. Rama u prit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Sipas një njoftimi nga zyra e tij, sot Albin Kurti do të jetë në Greqi, ku do të marrë pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, i themeluar nga ish-kryeministri grek George Papandreou. Ndërkaq, Serbia pritet të përfaqësohet nga kryeministrja Ana Bërnabiç.