Rajoni

Sytë nga Ohri, pritet të fillojë takimi i përbashkët Kurti-Vuçiç!

Bisedimet Kurti-Vuçiç në Ohër të Maqedonisë së Veriut, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg i konsideron “të rëndësishme”. Në Twitter, shkruan se pret që të dyja palët të angazhohen për të shënuar përparim në dialogun që e cilëson “çelës” për të ardhmen europiane të rajonit.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja në Ohër janë të rëndësishme dhe nga Aleksander Vuçiç e Albin Kurti pret që të angazhohen në mënyrë konstruktive, për të bërë përparim. Ky është çelësi për stabilitetin e qëndrueshëm e të ardhmen europiane dhe euroatlantike të rajonit. NATO vazhdon të punojë për një Kosovë të qëndrueshme e në paqe.

Në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, bisedimet synojnë normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se mbështet dialogun, duke shtuar se “është zgjidhja e duhur për konsolidimin e paqes në rajon”.

Dua të nënvizoj se Republika e Maqedonisë së Veriut nuk u zgjodh rastësisht. I mbështetur nga Bashkimi Europian, shteti ynë ka bërë një hap historik. Ne jemi bërë anëtar të NATO-s. Besojmë se dialogu është e vetmja mënyrë për të arritur progres. Eshtë në Bashkimin Europian vendi i shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Më herët gjatë ditës, shefi i qeverisë së Shkupit pati një takim me presidentin serb, Vuçiç, i cili në një postim në Instagram e falënderoi Kovaçevskin për mikpritjen dhe dëshirën “për të kontribuar në vazhdimin konstruktiv të dialogut”. Po ashtu, Kurti takoi kreun e partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, tha se bisedimet në Ohër mund të prodhojnë “rezultat pozitiv” nëse palët tregojnë “vullnet politik, kurajë e pragmatizëm”.

Nga kjo do të përfitonin të gjithë qytetarët dhe komunitetet. Mbretëria e Bashkuar mbështet ndërmjetësuesit e BE-së dhe është e gatshme të ndihmojë.

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut përfunduan takimet dypalëshe të zyrtarëve të BE-së, fillimisht me presidentin Vuçiç e më pas me kryeministrin Kurti. Tashmë, pritet të nisë takimi i përbashkët.

Borrell tha se sytë e BE-së e të Ballkanit Perëndimor janë në Ohër:

Në axhendë të bisedimeve është aneksi i zbatimit të propozimit europian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.