Aktualitet

Temperatura deri në minus 7 gradë, por nuk ka reshje! Ngrica në disa akse!

Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH informon se reshjet kanë pushuar në të gjithë vendin dhe qarkullimi i automjeteve kryhet normalisht, në të gjitha akset rrugore.
Gjithashtu, në njoftimin e sotëm, ARRSH bën të ditur se çdo strukturë vijon të qëndrojë në terren për kontrollin e rrugëve, si dhe shpërndarjen e kripës për të shmangur ngricat.

Gjatë natës është punuar me shpërndarjen e kripës për të shmangur ngricat pasi temperaturat në zonat malore kanë qenë të ulëta dhe për zgjerimet anësore të rrugës. Qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset.

Kryesisht në Vlorë e Fier vazhdojnë pasojat e motit të keq të ditëve të fundit, me shira të dendur. Ndonëse situata paraqitet më e përmirësuar dhe niveli i Vjosës ka rënë, në Ferras të Fierit disa banorë kërkojnë ndërhyrje, pasi uji në banesa kalon nivelin 1 metër. Në veri, në qarkun Shkodër, problem mbetet furnizimi me energji elektrike, ku ende zonat e Lëpushës dhe Vermoshit janë pa drita.

Në juglindje të vendit, si pasojë e temperaturave të ulëta, ka akull në rrugë, si në segmentet Boboshticë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Ersekë, Ersekë-Leskovik e Pogradec-Qafë Thanë. Aty hidhet kripë, që të krijohen lehtësira për drejtuesit. Në Dardhë, automjetet e vogla duhet të jenë të pajisura me zinxhirë. Ndërkaq, dhjetëra fshatra në Devoll, Maliq e Pogradec janë prej tre ditësh pa energji. Po ashtu, dëbora ka izoluar Lekasin, Panaritin e Vithkuqin.

I ftohti siberian sërish ka mbërthyer Ballkanin, duke diktuar edhe në vendin tonë mot të kthjellët, por të ftohtë. Sipas MeteoAlb, në mesditë priten vranësira të shpeshta në të gjithë territorin shqiptar e në zonat malore rrezikojnë reshje të izoluara dëbore. Parashikimet janë që orët e vona të mbrëmjes, të largojnë gradualisht vranësirat nga i gjithë vendi.

Era fryn mesatare me shpejtësi 50 km/h në drejtimin verior-verilindor, duke gjeneruar dallgëzim mbi 4 ballë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit. Temperaturat e ajrit kanë pësuar ulje të ndjeshme dhe variojnë në vlerat ditore nga minus 7 deri në 11 gradë celcius.