Aktualitet

Tërmeti 7.8, Shqipëria dërgon mision shpëtimi solidariteti në Turqi/Mbi 600 viktima në këtë vend e në Siri!

Një mision shpëtimi solidariteti sot niset drejt Turqisë pas tërmetit të magnitudës 7.8 që goditi zonën mes këtij shteti dhe Sirisë. Lajmin e dha kryeministri Rama, i cili në një mesazh në Twitter shpreh ngushëllime.

I pikëlluar thellësisht për lajmin e mëngjesit të sotëm për tërmetin shkatërrues që goditi disa pjesë të Turqisë dhe Sirisë. Ngushëllimet tona më të thella për familjet e shumta që humbën jetën dhe u urojmë shërim të shpejtë të lënduarve. Një mision shpëtimi solidariteti do të niset sot për në Turqi.

Vazhdon të rritet numri i viktimave nga tërmeti. Deri tani raportohet për mbi 600 persona që kanë humbur jetën në të dy vendet e mijëra të plagosur. Në zonë nuk ndalen operacionet e kërkim-shpëtimit.  Në anën turke gjetën vdekjen 284 vetë e në atë siriane 386. Për Turqinë, kjo është lëkundja më e fortë në mbi 100 vjet. Më shumë se 1 mijë e 700 ndërtesa u shembën apo pësuan dëmtime.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tërmeti i fuqishëm 7.8 Rihter kishte një thellësi prej 17.9 kilometrash dhe epiqendër pranë qytetit Gaziantep. Shumë pasgoditje u ndjenë në orët që pasuan lëkundjen e orës 02:17 minuta me tonën. Sipas Ministrisë turke të Fatkeqësive të Brendshme dhe Menaxhimit të Emergjencave, numri i viktimave pritet të rritet teksa shumë qytetarë ende janë nën rrënoja. Zëvendëspresidenti turk, Fuat Oktay shpalli alarmin e nivelit 4, që kërkon ndihmë ndërkombëtare.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj është mes liderëve botërorë që reaguan e shprehën ngushëllime për tërmetin që goditi Turqinë e Sirinë. Me një postim në Twitter, kryetari i shtetit thekson se “shqiptarët qëndrojnë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve të tyre që humbën jetën në tragjedi”.

Shtëpia e Bardhë njofton se presidenti Joe Biden ka udhëzuar qeverinë federale që të përgatisë ndihmën amerikane. Aktualisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës aktualisht kanë një gamë të gjerë sanksionesh ekonomike të vendosura ndaj Sirisë dhe presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Në emër të Bashkimit Europian, ngushëllimet për jetët e humbura nga tërmeti i shprehu kryediplomati i Unionit, Josep Borrell. Zyrtari i lartë shprehu gatishmërinë e Bllokut me 27 vende anëtare për të ndihmuar Turqinë dhe Sirinë. Greqia u angazhua për të ndihmuar menjëherë zonat e prekura. Kjo u bë e ditur nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis. Edhe Serbia premtoi të dërgojë ndihmë në rajon.