Bota

Tornadot “mbjellin” shkatërrim në SHBA/26 viktima në Misisipi e Alabama!

Vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në Misisipi ku tornadot goditën shtetin amerikan, dy ditë më parë. Aty raportohen të paktën 25 viktima dhe një në Alabama. Dhjetëra vetë u lënduan, ndërsa u shkatërruan disa qytete ku shfaqen ndërtesa e makina të dëmtuara, si dhe linja elektrike të rrëzuara. Guvernatori i Misisipit, Tate Reeves shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Reagoi edhe presidenti amerikan, Joe Biden, i cili tha se pasojat “të thyejnë zemrën”. Shefi i Shtëpisë së Bardhë vuri në dukje se qeveria federale do të bëjë gjithçka mundet për të ndihmuar.

Ne do të jemi atje për aq kohë sa do të duhet. Ne do të punojmë së bashku për të ofruar mbështetjen që ju nevojitet për të rikuperuar.

Më shumë stuhi parashikohet të godasin pjesë të Alabamës e Xhorxhias ditën e sotme, shoqëruar me breshër.

Qyteza Rolling Fork në Sharkey të Misisipit thuajse nuk ekziston për shkak të dëmeve e kudo është mbjellë shkatërrim, duke e kthyer në fantazëm Rolling Fork-un. Duke folur për CNN, një banor tregoi:

Nuk kam parë kurrë diçka të tillë… Ky ishte një qytet i vogël shumë i mrekullueshëm dhe tani është zhdukur.

Guvernatori i Misisipit, Tate Reeves, vizitoi të tjera zona për t’u takuar me banorë të prekur, të goditur nga furia e tornadove.

Në një përditësim, Reeves e përshkruan situatën si “tragjedi”. Në Twitter shkruan:

Ne jemi të bekuar me ekipe të guximshëm e të aftë për reagim, si edhe me fqinjë të dashur. Lutuni për ne!

Ende nuk është e qartë nëse një apo disa tornado goditën zonën të premten në mbrëmje. Edhe pse dje Shërbimi Kombëtar i Motit foli për disa tornado, nuk përjashtohet që të ketë qenë vetëm një, por “e kalibrit jashtëzakonisht të lartë”.

I shqetësuar nga forca e një tornadoje që do të godiste Amory-n, një sinoptikan ndaloi për një moment parashikimin në një televizion lokal, për të ofruar një lutje për banorët e qytetit.