Bota

Tornado në SHBA, të paktën 23 viktima!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk gjejnë qetësi nga kapriçot e motit.  Një tornado e fortë goditi Misisipin dhe Alabamën, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 23 personave. Raportohet se stuhia e fuqishme shkatërroi ndërtesa e gjithashtu çoi në rrëzim të disa linjave elektrike.

Për shkak se tornado lëvizi drejt disa shteteve jugore amerikane, autoritetet kanë paralajmëruar se në disa vende, situata mund të jetë “kërcënuese për jetën”.

Shërbimi Kombëtar amerikan i Motit konfirmoi se tornado ka shkatërruar disa pjesë në Misisipi. Në dy qyteza rurale të këtij shteti, erërat arritën një shpejtësi prej 113 kilometrash në orë e më pas u bë zhvendosja e tyre drejt Alabamës.

Angelia Easton, mjeke ligjore në qarkun Sharki, tha se 13 persona humbën jetën nga tornado në Misisipi. Më herët, ABC News pati raportuar për pasoja të rënda në në disa qarqe të Misisipit.

Shërbimi Kombëtar i Motit ka lëshuar alarm për stuhinë duke u bërë një thirrje qytetarëve e kërkon ta marrin seriozisht:

Për të mbrojtur jetën tuaj, strehohuni tani!

Ky shërbim nuk përjashton mundësinë që banorët të pësojnë lëndime për shkak të objekteve që mund të fluturojnë, si rezultat i erërave të fuqishme të tornados.

Qendra për Parashikimin e Stuhive paralajmëroi se disa pjesë të Arkansasit, Luizianës e Misisipit, si edhe në Tenesi do të mund të përballen me tornado të fuqishme. Po ashtu, stuhitë pritet të godasin lindjen e Teksasit e juglindjen e Oklahomës. Nuk do të shpëtojnë juglindja e Misurit dhe as jugu e Illinoisit.

Referuar të dhënave zyrtare të autoriteteve amerikane, një ditë më parë, më shumë se 49 mijë banorë kanë mbetur pa energji elektrike në Arkansas, Misisipi e në Tenesi në Shtetet e Bashkuara.