Aktualitet

Tragjedia e Gërdecit, tashmë asnjë pengesë për SPAK; Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu

Gjykata e Lartë ka vendosur të rrëzojë rekursin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që i hapi rrugë rihetimit dhe gjykimit të tij për dosjen Gërdeci.

Kur dorëzoi rekursin, avokati Ardian Visha argumentoi se vendimi është antikushtetues dhe cenon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj.

Nëpërmjet avokatit të tij, Mediu pretendoi se vendimi ishte në shkelje të ligjit, të parimit të gjësë së gjykuar duke iu referuar faktit se një gjykatë më e vogël prishi vendimin e Gjykatës së Lartë.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) regjistroi procedim penal ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu, për çështjen e Gërdecit për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me tragjedinë e Gërdecit ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.

Apeli i GJKKO, më 24 shtator mori vendimin për rikthimin për hetim në SPAK të dosjes, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda. 13 vite pas tragjedisë, familjeve të viktima iu rikthyer shpresa se mund të marrin drejtësinë e munguar për familjarët e tyre. Apeli i GJKKO rrëzoi një vendim të mëparshëm të shkallës së parë, duke argumentuar se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit për rihetim.

Kujtojmë se SPAK tashmë ka rikfilluar me pyetjen e dëshmitarëve, trashëgimtarëve të viktimave dhe personat e dëmtuar nga tragjedia. Pjese e ripyetjes do të jenë edhe ish zyrtaret e lartë në periudhën e tragjedisë me 15 mars 2008. Zyrtari i parë që do të merret në pyetje është ish-ministri Mbrojtjes Fatmir Mediu. Ndër familjarët edhe Zamira Durda e cila kërkon që hetimet në Gërdec të behën edhe për korrupsion.

Në shpërthimin e Gërdecit më 15 mars të 2008 humbën jetën 26 persona, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë.