Opozita duhet të zgjedhë një kandidaturë gjithpërfshirëse në garën për Bashkinë e Tiranës, pasi koha është e shkurtër për zgjedhjet e parakohshme lokale, por edhe për shkak të pushtetit të përqendruar në dorën e një njeriu të vetëm si kryeministri Edi Rama.
Ky ishte mendimi dhe argumenti i deklaruar sot nga deputeti republikan Fatmir Mediu, për lëvizjet politike të opozitës pas shkarkimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Ai sugjeroi që të zhvilloheshin negociata mes partive opozitare për të zgjedhur edhe një kandidaturë që i përfshinte të gjithë, duke shprehur edhe konsideratën për dy emrat e lakuar nga PD-ja, si Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku.
“Duhet t’i përfshijë qytetarët kundër së keqes, ndaj duhet të gjejmë një kandidat gjithpërfshirës. Duhet të flasim për një kandidaturë gjithëpërfshirëse. Duhet të jenë njerëz që e tejkalojnë kostumin politik, të jenë pranë qytetarëve. S’do të isha për …Për Tabakun dhe Alimehmetin kam konsideratë, por do lokalizohej më shumë situata. Kam shumë konsideratë për ata, por me kohën e shkurtër që kemi, nëse ka produkte që dalin nga konsensusi, s’do të arrijmë atje ku duhet. Ideja për të konkurruar tregon një dëshirë për vazhduar betejën. Nëse PD ka hapur një fazë negocimi, është koha”, tha ligjvënësi për News 24.
Mediu komentoi edhe situatën politike ku ndodhet vendi, duke thënë se Rama ka të gjitha pushtetet dhe se ish-kryebashkiakut Veliaj duhet t’i garantohej rezpektimi i ligjit, pasi “siguria juridike është me rëndësi”.
“Për fatin e keq jemi në një moment ku vendos një njeri. Personalisht nuk kam vlerësim për Erion Veliajn nga pikëpamja njerëzore, por dhe nga ajo e politikës. Elementët që ia garanton kushtetuta dhe ligji duhet t’i gëzojë. Siguria juridike është me rëndësi. Nuk bëhen proceset as në media, as në këshillat e lagjeve, por se si e përcakton ligji dhe pushteti. Ky është një proces për interesa të konsolidimit të pushtetet të një njeri, siç është Rama. Mendoj se opozita, me gjithë kushtet e një farse elektorale, që u konstatua dhe nga OSBE/ODHIR, është e detyruar që të përballet me zgjedhjet”, tha deputeti.
Mediu për Gërdecin: Kërkova ushtarakë dëshmitarë, GJKKO s’i lejoi! Hetimi me praktikë staliniste
Fatmir Mediu bëri komente edhe për procesin gjyqësor ndaj tij në GJKKO për dosjen “Gërdeci”. Ai tha se kishte kërkuar dëshmitarë autoritetet ushtarake në sallë, por GJKKO s’i pranoi. Kurse akuzat e SPAK i cilësoi të ngritura mbi opinione publike dhe jo mbi fakte.
“Kërkova dëshmitarë autoritetet ushtarake, por gjykata s’i pranoi. Unë kam qenë ministër. Unë nuk kam qenë nëpunës i forcave të armatosura, as i veshur me uniformë, as magazinier, as transportues institucionesh dhe as në komandën logjistike. Në kufijtë e absurditetit. Për fatin e keq, ndaj e përmenda edhe rastin e zotit Veliaj, unë mendoj se gjithsecili duhet të gjykohet në bazë të fakteve dhe jo në bazë të opinioneve publike. Nuk mund të farkëtohet opinioni dhe pastaj të gjendet akuza”, tha deputeti.
Mediu i cilësoi këto praktika hetimi si staliniste dhe pa baza në prova konkrete për të provuar një shkelje të ligjit.
“Kjo është praktikë tërësisht staliniste dhe kjo duhet hequr dorë, ka një akuzë konkrete dhe mbi këtë akuzë konkrete ka një përgjegjësi penale për gjithsecilin që ka bërë shkeljen e ligjit”, përfundoi ai.