Aktualitet

Trondit Mevlan Shanaj: “Guljelm Radoja nuk iku nga COVID-i, por nga pakujdesia”

Kinematografia dhe arti shqiptar është në zi për shkak të humbjes së artistit të popullit, Guljelm Radoja. Ai u shua në moshën 75-vjeçare pasi humbi betejën me COVID-19. Lajmi i trishtë ka pushtuar të gjithë median shqiptare por një intervistë e dhënë pak momente me parë nga aktori Mevlan Shanaj na ka shokuar edhe më.

Teksa ka folur për “News24”, Shanaj tha se arsyeja e vërtetë e ikjes së parakohshme nga jeta të Guljelm Radojës nuk ishte për shkak të komplikacioneve të COVID-19 apo ataku kardiak. Ai tha se e vërteta fshihet pas pakujdesisë të treguar në spitalet ku ai ka qenë i shtruar përreth 1 muaji. Sipas Mevlan Shanaj, për artistin duhej të ishte treguar një ndihmë e specializuar më e madhe.

Është shumë lajm tronditës. Para disa ditësh thashë se besoja që do i jepej ndihma e specializuar. Është figurë kombëtare, është një aset kombëtar me vlera të jashtëzakonshme. Kush kujton Radojën, e ka parasysh imazhin e njeriut të shkëlqyer. Ai nuk vdiq nga një atak kardiak, por nga një pakujdesia. Le të flasë çdo mjek në botë, ka mbi një muaj që ishte në gjendje të rëndë. Si e lanë Guljelmin për një muaj në këtë gjendje?! Patjetër që duhej të tregohej një ndihmë e specializuar më e madhe. Tani që na iku mund të flasim të gjithë, por e vërteta është se ka ikur një vlerë kombëtare, një njeri që nuk harrohet dot. Vepra e tij është madhore.