Bota

Trump akuza të forta Zelensky-t se po merr miliardat e refuzon fundin e luftës!

Kandidati republikan për president amerikan, Donald Trump akuzoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky se po merr miliarda dollarë nga Shtetet e Bashkuara dhe njëkohësisht nuk po pranon të “bëjë marrëveshje” për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës.

Teksa kritikoi ashpër Uashingtonin për furnizimin e Kievit me ndihma, Trump tha se “Ukraina duhej të bënte lëshime para presidentit Putin, në muajt para se Rusia të niste pushtimin, në shkurt 2022”.

Çdo marrëveshje, qoftë më e keqja do të kishte qenë më e mirë se çfarë kemi tani. Nëse ata do të bënin marrëveshje të keqe, sërish do të kishte qenë më mirë se tani. Ata duhej të kishin hequr dorë nga pak gjëra e të gjithë do të jetonin. Çdo godinë do të ishte e ndërtuar dhe çdo kullë do të “jetonte” edhe 2.000 vjet.

Trump i bëri komentet gjatë një tubimi zgjedhor në Karolinën Veriore ndërsa Zelensky merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, para vizitës së sotme në Uashington ku presidenti Joe Biden pritet të njoftojë ndihmë të re për Ukrainën.

Shpesh, Trump ka pretenduar se Rusia nuk do ta kishte pushtuar Ukrainën, nëse ai do të kishte qenë president i SHBA-ve dhe se do t’i jepte fund luftës me shpejtësi, nëse kthehej në Shtëpinë e Bardhë.

Në një debat me rivalen demokrate, zv.presidenten Kamala Harris, refuzoi të thonte nëse dëshironte që Ukraina të fitonte luftën. Rusia dhe Ukraina zhvilluan disa negociata para se Moska të niste pushtimin e plotë në shkurt 2022, por Kievi i hodhi poshtë kërkesat e paraqitura nga Moska, që përfshinin njohjen e aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia dhe entiteteve të kontrolluara nga separatistët në Luhansk e Donjeck.

Duket se ish-presidenti foli në përgjigje ndaj komenteve të Zelensky-t në një intervistë për New Yorker, në të cilën tha se Trump “nuk di vërtet si ta ndalojë luftën, edhe nëse mund të mendojë se e di”.

Zelensky ndodhet në Shtetet e Bashkuara dhe po bën disa shpifje të vogla e të liga drejt presidentit tuaj të preferuar, ndaj meje.

Gjithashtu e përshkroi Ukrainën si një vend të shkatërruar, përjashtuar Kievin e me mungesë ushtarësh, si dhe vuri në dyshime nëse ka ndonjë përparësi për të negociuar fundin e luftës.

Çfarë marrëveshje mund të bëjmë? Ukraina është shkatërruar. Njerëzit janë të vdekur. Vendi është në rrënoja.

Zelensky theksoi se do t’i paraqesë Biden-it atë që e quajti “plan për fitoren në luftë”. Ky plan pritet të përfshijë një kërkesë për leje për t’i përdorur armët me rreze të gjatë veprimi me të cilat Shtetet e Bashkuara e furnizojnë.

U raportua edhe mbi një takim Trump-Zelensky në Nju Jork, por pritet të anulohet, sipas mediave amerikane.