Debati presidencial amerikan u zhvillua dhe i pari duel kokë më kokë mes dy kandidatëve Harris e Trump preku shumë tema: ekonomia, luftërat, politika e jashtme, sulmi në Kongres në janar 2021. Demokratja Harris akuzoi rivalin republikan se i shiti në Kinë dhe tha se është i dënuar.
Manjati Trump deklaroi se Harris urren Izraelin dhe sipas tij do të jetë presidentja më e keqe e çdo kohe. Harris iu përgjigj se Putin e konsumon për mëngjes. Ndërkaq, Trump bëri të ditur se nëse zgjidhet, ai do të negociojë një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë. Debati që nisi me një shtrëngim të duarve përfundoi me një përballje të ashpër. Fushata e zv.presidentes kërkon të propozojë një debat tjetër.
Ekonomia
Kamala Harris kritikoi synimin e Trump-it për të vendosur tarifa të larta ndaj mallrave të huaja.
Donald Trump na la nivelin më të ulët të punësimit që nga Depresioni i Madh. Niveli i papunësisë arriti kulmin në 14.8% në prill të vitit 2020 dhe ra në 6.4% kur ai u largua nga detyra.
Trump kritikoi Harris-in për inflacionin e lartë gjatë mandatit të administratës Biden, megjithëse ai e mbivlerësoi nivelin e rritjes së çmimeve. Gjithashtu, iu drejtua shpejt çështjes së tij kryesore, emigracionit, duke pretenduar përsëri pa prova se emigrantët nga “azilet e të çmendurve” po kalojnë kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara me Meksikën.
Inflacioni ka qenë një katastrofë për njerëzit, për klasën e mesme dhe gjithë të tjerët.
Politika e Jashtme
Kandidatët shkëmbyen kritika për luftën mes Hamasit dhe Izraelit në Rripin e Gazës e agresionin rus në Ukrainë, por asnjëri nuk ofroi plane specifike për zgjidhjen e këtyre konflikteve. Demokratja akuzoi republikanin se ishte i gatshëm të tërhiqte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, për të fituar favorin e presidentit rus Vladimir Putin, duke e quajtur zotin Trump një “turp”, ndërsa Trump pretendoi se Harris “urren” Izraelin, një pohim që ajo e hodhi poshtë.
Trump kritikoi presidentin Biden e Harris-in për tërheqjen jo të organizuar të trupave amerikane nga Afganistani, duke thënë se ata lanë duart e talebanëve pajisje ushtarake amerikane me vlerë miliarda dollarë.
Sulmet personale
Trump, i cili ka kaluar javë të tëra me sulme personale ndaj rivales, duke përfshirë fyerje raciste dhe seksiste, kryesisht shmangu fyerjet në fillim të debatit, por u bë gjithnjë e më i zëmëruar nga kritikat e saj. Trump u pyet nga moderatorët për një nga ato sulme, kur ai tha në një konferencë me gazetarë afro-amerikanë në korrik se Kamala Harris, së fundmi ishte “bërë një person me ngjyrë”.
Nuk më intereson aspak kjo çështje. Çfarëdo që ajo dëshiron të jetë është në rregull me mua.
Harris, me origjinë afro-amerikane dhe aziatike u përgjigj:
Unë mendoj se është një tragjedi që ne kemi dikë që dëshiron të jetë president, i cili vazhdimisht gjatë karrierës së tij është përpjekur të përdorë racën për të përçarë popullin amerikan.
Ajo kritikoi Trump-in për shpalljen fajtor nga një juri lidhur me fshehjen e pagesave për një aktore të filmave pornografikë, si dhe për paditë e tij të tjera e një gjyq civil për sulm seksual. Donald Trump hodhi poshtë këto akuza dhe sërish akuzoi Harris-in e demokratët se kanë orkestruar të gjitha paditë ndaj tij, pa prova.
Ish-presidenti Trump gjithashtu përsëriti pretendimin e tij të rremë se zgjedhjet e vitit 2020, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden ishin manipuluar dhe e quajti Kamala Harris-in një “marksiste”. Në mënyrë të rreme pohoi se emigrantët kanë shkaktuar një rritje të madhe të krimit të dhunshëm në vend.
Ky mund të jetë debati i vetëm mes tyre në fushatën për zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Debati mbahet tetë javë përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve, por vetëm disa ditë përpara fillimit të votimit të hershëm në disa nga 50 shtetet e SHBA-ve.