Rajoni

Uashingtoni zyrtar thirrje Kosovës e Serbisë për pranimin e propozimit europian!

Ndërsa sot pritet me interes takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, Departamenti amerikan i Shtetit vlerëson propozimin europian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Uashingtoni zyrtar e quan “mundësi për popujt e tyre, për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”. Duke cituar BE-në, një zëdhënës tha se “pranimi i marrëveshjes do të përshpejtonte rrugën e të dyja shteteve në Union”.

Pranimi i marrëveshjes ndihmon në avancimin e qëllimeve tona kyçe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë arritjen e paqes dhe stabilitetit për të gjithë njerëzit në rajon.

Shtetet e Bashkuara presin përparim të dukshëm në takimin mes kryeministrit të Kosovës e presidentit të Serbisë. Bisedimet konsiderohen me shumë rëndësi edhe nga Blloku europian. Sipas burimeve në Bruksel, këtë herë nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.

Të dyja palët duhet të arrijnë dakordësi mbi propozimin e BE-së, si “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve. Në Bruksel presin që Kurti dhe Vuçiç ta pranojnë propozimin, pa diskutime të mëtejshme. Pikë debati mund të jetë vetëm një aneks për zbatimin e pikave të marrëveshjes.

Përveç propozimit të BE-së, Departamenti amerikan i Shtetit përsërit thirrjen drejtuar Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani në kuadër të dialogut.

Presidenti francez, Macron, kancelari gjerman Scholz e kryeministrja italiane, Meloni përshëndetën vendimin e Albin Kurtit për të pranuar propozimin europian mbi normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Tre liderët përmendin nevojën e madhe për krijimin e kushteve drejt finalizimit dhe zbatimit të tij. Para takimit në Bruksel, i dërguan një letër Kurtit.

Macron, Scholz e Meloni bënë të qartë se presin të diskutohet mbi propozimin e BE-së dhe detyrimet që dalin nga procesi i dialogut, i ndërmjetësuar nga Unioni. I njohur në publik si plani franko-gjerman, propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi shërben si rrugë drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve. Kosovës i është shtuar presioni për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, marrëveshje e 10 viteve më parë.