Rajoni

Një ditë para takimit me Vuçiçin, liderët europianë letër Kurtit: Pritshmëri mbi propozimin e BE-së!

Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz e kryeministrja italiane, Giorgia Meloni përshëndesin vendimin e Albin Kurtit për të pranuar propozimin europian mbi normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Të tre liderët përmendin nevojën e madhe për krijimin e kushteve drejt finalizimit dhe zbatimit të tij. Një ditë para takimit në Bruksel të kryeministrit të Kosovës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, i dërguan një letër Kurtit.

Në konkluzionet e 9 shkurtit, Këshilli Europian shprehu mbështetje për këtë marrëveshje të rëndësishme e në të njëjtën kohë u bëri thirrje Serbisë e Kosovës që plotësisht dhe pa kushte, të zbatojnë detyrimet në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet e viteve 2013 e 2015 për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Presim që në takimin e 27 shkurtit të diskutohet mbi propozimin e BE-së dhe detyrimet që dalin nga procesi i dialogut, i ndërmjetësuar nga blloku europian.

I dërguari i BE-së për Dialogun, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se pret që në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, palët të pajtohen për afatet e zbatimit të propozimit europian. I njohur në publik si plani franko-gjerman, propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë shërben si rrugë drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve.

Planin e pranuan si Kosova, ashtu edhe Serbia, por nuk është prezantuar asnjëherë në publik. Nga mediat, mësohet se aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por përfshihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore e një rregullim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Duke përmendur rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve dhe arritjes së dakordësisë, Macron, Scholz e Meloni shprehen të bindur se nga një përparim i tillë përfitojnë qytetarët, si dhe avancohet rruga e Kosovës drejt integrimeve europiane. Beogradi kërkon që Prishtina të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër asociacionit njëetnik.