Aktualitet

Vazhdon boshatisja e Univeritetit të Tiranës/Degët që rrezikojnë zhdukjen!

Edhe ky vit konfirmon interesin në rënie për të studiuar në fakultetet e Universitetit të Tiranës. Pasi Senati Akademik miratoi kuotat e reja për vitin 2022-2023, nën 5 mijë, bie në sy shkurtimi masiv në degë që kërkohen pak ose aspak. Mes arsyeve, studimet në universitete të huaja e private, me diploma që njihen ndërkombëtarisht.

Kuotat

Nga gjashtë fakultetet e Universitetit të Tiranës, ai i Gjuhëve të Huaja rezulton më i prekuri nga vala e shkurtimeve të kuotave. Këtë vit të ri akademik, pret 135 studentë.

Surprizë këtë vit ishte interesi i ulët i studentëve për gjuhën gjermane, që vitet e fundit ka qenë veçanërisht e pëlqyer. Ulje të kërkesës ka pasur edhe për gjuhët frënge, italiane, spanjolle, ruse e greke.  Dy të fundit janë në kufijtë e ekzistencës. Prej kohësh, me vështirësi formohet numri dhjetë i studentëve, si kusht për të mbajtur hapur një profil studimi.

Ulje drastike me 70 pranime më pak, pësuan Gazetaria, Arkeologjia e Gjeografia. Në Fakultetin e Shkencave Sociale, e vetmja degë ku u vu dorë është Filozofia, që për vitin e ardhshëm akademik do të ofrojë dhjetë vende më pak se vitin e kaluar. Drejtësia, me të vetmin program 5-vjeçar që e ofron të integruar, do të ketë të njëjtin numër pranimesh.

Gjithashtu, Shkencat e Natyrës nuk kanë bërë kompromis, duke i qëndruar besnikë të njëjtit numër kuotash prej vitesh, pavarësisht ecurisë negative në disa degë, ndërsa kanë pësuar firo dy profilet e UT në Sarandë, Administrim Biznes dhe Gjuhë Angleze.

Vitet e fundit, fakultetet të ndryshme përcaktojnë kritere të veçanta pranimi për studentët e rinj. Larmishmërinë më të madhe e ka ai i Shkencave të Natyrës, ku mesatarja e gjimnazit e provimeve të maturës zë 50-75% të vlerësimit final, ndërsa pjesa tjetër varet nga rezultatet e nxënësve në lëndë specifike.

Histori-Filologjia ka formulën më të thjeshtë të pranimeve. Peshën më të madhe (80%) e ka mesatarja aritmetike e tri viteve të shkollës së mesme dhe 20% provimet e fundit.

Fakulteti i Drejtësisë i jep 40% mesatares së gjimnazit, 10% provimeve të maturës dhe 50% lëndëve specifike të zhvilluara gjatë shkollës së mesme.

Ekonomiku e ndan 50:50 peshën e vlerësimit, midis mesatares së gjimnazit dhe mesatares së gruplëndëve formuese. I vetmi fakultet që e ka të hapur kandidimin është ai i Gjuhëve të Huaja, i cili pranon në rend zbritës ata që kanë më tepër pikë.