Bota

Xi Jinping merr mandatin e tretë si president!

Udhëheqësi kinez Xi Jinping siguroi të premten një mandat të tretë pesë-vjeçar, gjë që i hap rrugën qëndrimit të tij të përjetshëm në pushtet, në një kohë sfidash të vështira ekonomike dhe tensionesh në rritje me Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera.

Mbështetja për një mandat të tretë nga Kongresi Kombëtar Popullor ishte e pritshme për një udhëheqës që i ka larguar nga skena rivalët e mundshëm dhe ka mbushur rangjet e Partisë Komuniste në pushtet me përkrahësit e tij që kur mori pushtetin në vitin 2012.

Kongresi, anëtarët e së cilit emërohen nga partia në pushtet, votoi për zotin Xi me 2,952 vota pro dhe asnjë kundër.

69 vjeçari Xi e kishte emëruar veten për një mandat të tretë pesëvjeçar si sekretar i përgjithshëm i partisë në tetor, duke thyer një traditë sipas së cilës udhëheqësit kinezë e dorëzonin pushtetin pas një dekade. Kufizimi prej dy mandatesh për presidencën që parashikohej në Kushtetutën kineze u eliminua, duke nxitur zërat se zoti Xi mund të qëndrojë në pushtet përgjithmonë.

Në kongres nuk pati ndonjë listë kandidatësh dhe mesa duket udhëheqësi kinez dhe figura të tjera që u zgjodhën nuk patën asnjë konkurrencë për postet.

Procesi është pothuajse tërësisht i fshehtë.

Zoti Xi u emërua gjithashtu unanimisht si komandant i Ushtrisë Çlirimtare Popullore prej 2 milionë anëtarësh, një forcë që i merr urdhrat nga partia.

Mandati i ri i zotit Xi dhe emërimi i personave besnikë ndaj tij në postet kryesore nxjerr në pah monopolin e tij pothuajse të plotë mbi pushtetin politik kinez, duke eliminuar çdo kundërshtim të mundshëm ndaj programit të tij ultra-nacionalist për ta pozicionuar Kinën si rivalen kryesore politike, ushtarake dhe ekonomike të Shteteve të Bashkuara dhe kundërshtaren kryesore autoritare ndaj rendit botëror demokratik të udhëhequr nga Uashingtoni.