Bota Celebrities

Zbulohet shkaku i vdekjes së aktorit të njohur Matthew Perry!

Aktori i njohur Matthew Perry ka humbur jetën për shkak të efekteve akute të shkaktuara nga marrja e ketaminës. Këto janë rezultatet e publikuar nga zyra e mjekut ligjor në Los Angeles. Kujtojmë se aktori i njohur gjerësisht për rolin e tij në serialin “Friends”, u gjet i pajetë në banesën e tij dy muaj më parë. Perry u gjet pa shenja jetë në vaskë dhe ekzaminimet e para nuk mundën të identifikonin shkakun e vdekjes.

Mbytja në ujin e vaskës renditet si një faktor kontribues në vdekjen e tij, sëmundja e arterieve koronare dhe efektet e buprenorfinës, e përdorur për të trajtuar çrregullimin e shkaktuar nga përdorimi i opioideve. Mënyra e vdekjes është cilësuar si aksidentale. Perry ndërroi jetë të shtunën e 28 tetorit. Autoritetet mbërritën në shtëpinë e tij në Los Anxhelos rreth orës 16:00 me orën lokale dhe e gjetën në një vaskë me ujë të nxehtë. Në vendngjarje nuk kishte asnjë substancë të ndaluar.

Familja e të ndjerit po planifikon që pasurinë e tij ta ndajë për njerezit në nevojë. Të afërmit e aktorit kanë folur për qëllimin e tyre për Fondacionin me emrin e të ndjerit. Në një njoftim thuhet se ata si familje dëshirojnë të nderojnë trashëgiminë e Matthew. “Potenciali që ka Fondacioni Matthew Perry për të ndihmuar ata që vuajnë nga sëmundjet është diçka për të cilën jemi krenarë”,-theksohet në deklaratë.

Roli i Perryt në “Friends” e bëri atë një prej aktorëve më të njohur në botë. Seriali u transmetua nga viti 1994 deri më 2004, duke fituar çmimin Emmy më 2002 për serialin komik më të mirë.