Rajoni

Zyrtare, liberalizimi i vizave për Kosovën, në axhendën e BE-së më 13 tetor!

Edhe zyrtarisht, presidenca çeke e Bashkimit Europian e vendosi në rend dite diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas planit të prezantuar nga Praga zyrtare, çështja e vizave do të diskutohet më 13 tetor. Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë Bashkimit Europian, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në shtetet europiane apo në atë që njihet si zona Shengen.

Në qershor të vitit 2016, Komisioni Europian vlerësonte se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, por për finalizimin e procesit, si kusht vendosi arritjen e marrëveshjes për ratifikimin e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Një tjetër kusht kishte të bënte me arritjen e rezultateve në luftën kundër krimit e korrupsionit në Kosovë.

Më pas, në vitin 2018, Komisioni Europian pati konstatuar se “Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret” dhe propozonte liberalizimin e vizave. Parlamenti Europian e ka mbështetur këtë vendim, edhe pse disa vende skeptike si Franca e Holanda nuk janë pajtuar me vlerësimet e Komisionit në tërësi.

Në mesin e shqetësimeve të tyre ishte edhe ai i rritjes së numrit të shtetasve të Kosovës që do të synonin BE-në, duke keqpërdorur lirinë e lëvizjes për të kërkuar azil në bllokun europian. Të tilla raste patën ndodhur me shtetasit e Shqipërisë, Gjeorgjisë e të disa vendeve të tjera.

Zyrtarë të Bllokut besojnë se tani ekziston një “moment pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën”, duke shtuar se “ky proces duhet të finalizohet brenda disa muajve”.

Nëse arrihet dakordësi, nuk ka dyshime se liberalizimi i vizave do të vlejë për ata që kanë pasaporta biometrike të Kosovë. Përveç vendeve të BE-së, qytetarët e Kosovës do të mund të lëviznin edhe në Zvicër, Norvegji, Islandë e Lihtenshtajn.