Aktualitet

Vau i Dejës, sekuestrohen 140 kg cannabis sativa/Arrestohen 4 persona!

Në fshatin Naraç, në një operacion policor me të njëjtin emër u sekuestruan 140 kg cannabis sativa dhe u arrestuan katër vetë. Bima narkotike në trajtë boçesh u gjet në një banesë të përshtatur për kultivim, me pajisje të furnizuara me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP-së Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vau i Dejës dhe me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se në fshatin Naraç, bashkia Vau i Dejës, ishte prodhuar lëndë narkotike në një banesë, ushtruan kontroll në kuadër të operacionit policor të koduar “Naraç”.

Gjatë kontrollit, në banesën e shtetasit Z.Sh., në fshatin Naraç, shërbimet e Policisë gjetën rreth 140 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa në trajtë boçesh. Nga verifikimet e kryera rezultoi se në këtë banesë kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Gjithashtu, në një ambient në afërsi të banesës, shërbimet e Policisë kanë gjetur pajisje të ndryshme që dyshohet se janë përdorur për kultivimin e bimëve narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me lëndën narkotike dhenjë mjet zetor me rimorkio.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, në flagrancë u arrestuan shtetasit Z.Sh., 61 vjeç, G.Sh., 38 vjeç (babë e bir), D.Sh., 35 vjeç dhe D.Sh. 42 vjeç, vëllezër (nipat e shtetasit Z. Sh.), të gjithë banues në fshatin Naraç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.