Aktualitet

Aksidenti me 3 të lënduar në liqenin e Vaut të Dejës, arrestohet shoferi!

Një aksident i rëndë ndodhi në aksin rrugor Mjedë-Spathar, pranë Vaut të Dejës, ku një automjet doli nga rruga dhe përfundoi në liqen e për pasojë 3 persona u lënduan.

Policia e Shkodrës bën me dije sot se ka arrestuar drejtuesin e automjetit, 32-vjeçarin Z.B., pasi humbi kontrollin dhe si pasojë automjeti u përplas me barrierat metalike të urës së Spatharit dhe ra në liqenin e Vaut të Dejës.

Shoferi së bashku me njërin prej pasagjerëve po marrin trajtim në Spitalin e Shkodrës, ndërsa i plagosuri tjetër është dërguar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Mjedë-Spathar”, informojmë se specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin Z. B., 32 vjeç, pasi duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti është përplasur me barrierat metalike të urës së Spatharit dhe ka rënë në liqenin e Vaut të Dejës.

Drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri, shtetasi N. Ç., 24 vjeç, banues në Laç, po marrin mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër, ndërsa pasagjeri tjetër, shtetasi A. N., 22 vjeç, banues në Laç, u dërgua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës, thuhet në njoftim.