Një 46 vjeçar u arrestua pasi akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë kishte përshtatur dy banesa për kultivim të bimëve narkotike kanabis, duke përdorur llamba e gjithashru pajisje të posaçme elektrike.
Rasti u zbulua në fshatin Barbullush, në Vaun e Dejës, ku gjatë kontrollit u sekuestruan 583 bimë narkotike kanabis, rreth 7.5 kilogramë kanabis i përpunuar, si dhe 307 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.
Në pranga u vu shtetasi Gj.G., 46 vjeç, banues në fshatin Barbullush, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Neonët 5”.
Gjykata e Shkodrës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, të kryera në bashkëpunim.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.