Uellsi ka krijuar një “hapësirë të re turistike” që njihet si metaverse, Visit Wales, me synimin për të promovuar disa nga përvojat dhe atraksionet e vendit te njerëzit në mbarë botën. Me anë të organizimit, Uellsi shpreson t’u jap mundësi vizitorëve virtual nga e gjithë bota për të parë atë që vendi ka për të ofruar.
Bëhet e ditur se rreth 600 milionë njerëz vizitojnë metaverset çdo vit, në platforma të ndryshme. Siç raportohet, metaverse e Uellsit është pjesë e platformës Spatial. Organizatorët thonë se Uellsi është vendi i parë evropian që e përdor këtë qasje për ta promovuar veten si një destinacion turistik. Veprimi vjen pasi një grup deputetësh zbuluan se Uellsit “i mungonte diçka” për të tërhequr vizitorët nga jashtë shtetit.
Edhe Ministrja e Turizmit, Hannah Blythyn, konfirmoi se metaverse i krijuar nga kompania iCreate është krijuar për të rritur numrin e vizitorëve. “Duke shfaqur disa nga më të mirat që Uellsi ofron, ne po e vendosim atë në një sferë online ku njerëzit takohen çdo ditë”-tha Blythyn. Vizitorët e Uellsit virtual mund të marrin përsipër kërkime duke përfshirë edhe aktivitete reale. Metaverse tani është e hapur për publikun dhe mund të integrohet në telefona inteligjentë, tabletë, laptopë, kompjuterë dhe përmes kufjeve Meta Quest.
Rikujtojmë, se kufjet e realitetit virutal nuk do të përdoren në shkolla sipas një skeme të re të Meta-s nëse mësuesit nuk mund të monitorojnë se çfarë po bëjnë nxënësit. Këtë ka njoftuar Nick Clegg mes shqetësimeve në rritje për sigurinë e fëmijëve në metaverse. Clegg tha se kufjet nuk do të përdoren në klasë nëse mësuesit nuk kanë kontroll të plotë të asaj që po ndodh. Meta ka njoftuar një paketë të re për përdorimin e kufjeve të realitetit virtual në shkolla si mjet mësimi. Nxënësit e moshës 13 vjeç e lart do të jenë në gjendje të hyjnë në klasat e tyre virtuale ku iu lejohet të vizitojnë muzetë, të praktikojnë të flasin gjuhë të huaja ose të vendosen në mjedise që më herët nuk kishin qasje.