Sport

Vendimet e “Disiplinës”/ Gjoba për tri klube të Superiores, e pëson edhe zyrtari i Kukësit!

Komisioni i Disiplinës ka marrë vendimet në lidhje me ngjarjet e fundjavës në futbollin shqiptar. Tirana dhe Partizani janë gjobitur për shkak të sjelljeve të gabuara të tifozëve, të cilët ndezën flakadanë në derbin e kryeqytetit. Përkatësisht me 100 mijë lekë bardheblutë dhe 50 mijë lekë “Demat”. Tetë ndeshje pezullim e ka pësuar zyrtari i Kukësit Eronaldo Gjici, për shkak të sjelljes josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes përballë Teutës.

Gjobë edhe për Egnatian. Me 100 mijë lekë është gjobitur klubi rrogozhinas për hedhje të sendeve në fushë nga tifozët në takimin e humbur 0-1 kundër Vllaznisë.

KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke ndezur flakadanë dhe duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

FK Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike, në bazë të nenit 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

KF Egnatia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

Zyrtari i FK Kukësi, Eronaldo Gjici, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes në mënyrë të përsëritur, duke shkelur dispozitat e Kodit të Disiplinës dhe Etikes, gjatë kohës që ishte i dënuar me masë disiplinore, në bazë të neneve 14/1/j dhe 33 të KDE, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
KF Korabi, për mos respektimin e detyrimeve dhe rregulloreve të aktivitetit duke shkaktuar vonesa gjatë ndeshjes, në bazë të neneve 8/1 dhe 13/2/a të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.

AF Luftëtari, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/b të KDE, gjoba të aplikohet në masën 20%.

Zyrtari i AF Luftëtari, Arben Coni, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/c të KDE dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Lojtari i KF Pogradeci, Ernest Shkullaku, për sjellje fyese që cenon reputacionin e futbollit dhe të gjithë pjesëmarrësve në veprimtarinë e saj, në bazë të nenit 13 të KDE dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Zyrtari i KF Delvina, Markelian Alinani, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/c të KDE dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.