Dinamo ka hedhur një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, pasi ka mundur me shifrat 2-0 Tiranën në ndeshjen e parë mes dy ekipeve.
Blutë kanë dominuar sfidën nga fillimi deri në fund, duke kërkuar me ngulm golin, teksa Tirana dukej në pritje të një kundërsulmi të rrezikshëm që praktikisht nuk ndodhi kurrë.
Si rrjedhojë e insistimit, ekipi i Dajës ia doli të gjente golin e avantazhit me Vilën e pastaj deri në fund kërkoi të dytin që erdhi me Bregun në shtesë, duke hedhur një hap mëse konkret drejt katërshes së Kupës.
TIRANA 0-2 DINAMO
76′ Vila, 90’+3′ Bregu
Trajneri i Tiranës, Ardijan Nuhiju, ka theksuar se paraqitja e bardhebluve në Kupë ishte pasojë e situatës me mungesat apo formën e lojtarëve.
“Mungesat ndikojnë padiskutim se janë futbollistë shumë të rëndësishëm për ne. Ky ishte maksimumi i skuadrës sot, pashë që nuk ka freski te grupi. Na e vështirësoi edhe ndërrimi i Ndong i cili e kërkoi edhe mes pjesëve, por shtrëngoi dhëmbët të ishte me skuadrën edhe disa minuta. Nuk deshëm ta rrezikonim se na duhet në kampionat. Vështirësitë erdhën nga mosfreskia apo mungesa e futbollistëve. Këto forca kishim dhe u munduam t’i shfrytëzonim në maksimum”.
Ilir Daja ka qenë i lumtur me fitoren e Dinamos ndaj Tiranës, teksa ka theksuar se ekipi ka bërë gjithçka mirë në kontekstin e asaj që kërkon Kupa e Shqipërisë.
“Sigurisht që kjo nuk bëhet me një gjysmë hapi, sepse Kupa ka 180 minuta dhe kemi bërë një hap të mirë në këtë ndeshje të parë. Por me Kupën është gjithmonë që duhet ta mbyllësh edhe ndeshjen e dytë e vazhdosh rrugën drejt gjysmëfinales e finales më mbrapa. Mendoj që kemi bërë një ndeshje të mirë. Kjo u pa edhe në kampionat se po rikthehen lojtarët. Prapë kemi mungesa, por jo më për të startuar ndeshjen por për të bërë më shpejt ndërrimet e plota, jo të pjesshme. Kemi bërë një pjesë të parë njësoj si të dytën, por në të dytën ndryshimi ishte që shkuam drejt golit. Ndërsa në të parën kishim shanset tona dhe nuk finalizuam. Ajo që është emëruesi i përbashkët për pjesët apo gjithë lojën, do thosha që ishim gjithë kohën në ekuilibër, duke ditur që Tirana del shpejt në kundërsulm. Në një ndeshje Kupe mendoj se kemi bërë atë që duhet bërë se ka specifikë tjetër Kupa nga kampionati”.