Sport

Derbi, Nuhiju “qan” rastet e humbura, Daja përgëzon lojtarët për lojën në inferioritet numerik.

Trajneri i Tiranës, Ardian Nuhiju, foli pas barazimit në shtëpi ndaj Dinamos me rezultatin 1 me 1. Tekniku bardheblu deklaroi:

“Mua personalisht më pëlqeu skuadra, karakteri i grupit. Duke parë kundërshtarin që kishim përballë, nëse do të na kishin thënë në fillim të ndeshjes a doni barazimit, ndaj skuadrës që është ndërtuar për titullin, ne jemi mbledhur në janar”.

“Ndeshje të tilla duhen mbyllur. E morëm shpejt avantazhin. Kartoni i kuq na favorizoi. Skuadra kundërshtare rrezikoi gjithçka sepse nuk kishte çfarë të humbte. Duhet ta mbyllnim ndeshjen, i kishim rastet. Asnjë vërejtje për çunat. Kjo pikë mund të na duket e vogël, por ndoshta në fund të kampionatit do të jetë shumë e madhe.

Në momentin e kartonit të kuq, i kërkuam Rafës të zbriste poshtë. Dinamo po shkonte me 3 sulmues dhe është dashur të ndihmonte mbrojtjen. Na bëri mirë pushimi për t’ia shpjeguar skuadrës. Në pjesën e dytë e menaxhuam mirë situatën deri te korneri.

Një pikë vlen shumë në momentin që gjendemi. Përballë kishim Dinamon, ka bërë ndeshje të mira edhe në Europë. Po e kërkonim fitoren, kemi nevojë për pikët, më pëlqen karakteri i skuadrës. Do të flisnim ndryshe për të shënonim 2-3 rastet që kishim ballë për ballë me portierin”, deklaroi Nuhiju.

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, foli pas barazimit 1 me 1 që skuadra e tij regjistroi ndaj Tiranës. Edhe pse me 10 lojtarë prej minutës së 30-të, dinamovitët arritën të reagonin duke marrë 1 pikë:

“Unë do të thoja i kemi bërë hyzmetin ndeshjes, çunat kanë treguar karakter. E filluam me gol të pësuar, kishim një rast shumë të pastër me Mustafa, ishte pastaj edhe penalltia, ndoshta po të ishte shënuar, mund të kishte një anë psikologjike ndryshe për ekipin. Mbetëm me 10 lojtarë për shkak të kartonit të kuq, morëm një barazim me Tiranën që vjen me shumë ndeshje të mira në 2026-ën. Nuk më pëlqeu aspak shpërndarja. Nuk e di çfarë ka ndodhur te pjesa e rrëmujës. Po fokusohem te ndeshja, me 10 lojtarë kemi luajtur shumë mirë, e mbajtëm Tiranën në fushën e vetë. Pavarësisht se me 1 lojtarë mangët, u kompesua ai lojtar me shpirtin e garës. Nuk ka shumë taktika në këtë lloj gjëje. Sakrifica e lojtarëve na çoi që të shpresonim deri në fund, u shpërblyem me atë barazim”.