Për 14-vjeçarin që u kap me pistoletë dhe 300 fishekë, Gjykata e Vlorës vendosi të ndryshojë masën e sigurisë nga “Arrest me burg” në “Detyrim për paraqitje”. Avokatja e tij, Xhoana Hyka sqaroi se këtë vendim, gjykata e mori mbi bazën e ligjit për të mitur sipas të cilit, 14-vjeçari konsiderohet në moshë të vogël për të mbajtur përgjegjësi penale.
Duke u bazuar edhe te kodi i drejtësisë për të mitur, sa i takon masës së sigurimit, gjykata vendosi nga “Arrest me burg” në “Detyrim për paraqitje”. Derisa gjykata të dalë në një vendim përfundimtar, po e vlerësojmë një vendim të drejtë, në respektim të ligjit.
Pas përfundimit të seancës, babai i 14-vjeçarit tha se falë bashkëpunimit me institucionet, të birit iu hoq arma që mund të sillte edhe ngjarje kriminale.
Jam tronditur nga historia me djalin tonë. Pavarësisht se ata e morën si lojë, mund të ndodhte një tragjedi. Falënderoj për bashkëpunimin shkollën dhe organet kompetente për këtë çështje. Prindërit të rrinë afër me fëmijët, të flasin me ta dhe nëse kanë ndonjë dyshim, të flasin me shkollën apo policinë.
Nxënësi i shkollës “Rilindja” në Vlorë u arrestua dy ditë më parë, pasi i ati shprehu shqetësim në drejtorinë e shkollës për një video që kishte parë në TikTok. Sipas tij, i biri shfaqej me shokët, me pistoletë në dorë. Pas denoncimit, policia ndërhyri menjëherë, duke gjetur pistoletën me 300 fishekë në një motoçikletë para banesës. I mituri ka pretenduar se armën e gjeti në një godinë të braktisur, çka po hetohet nga prokuroria.