Aktualitet

Vlorë, goditen tre raste të armëmbajtjes pa leje dhe shitjes së kokainës!

Vlorë, finalizohet operacioni policor i koduar “Siguria”. Goditen tre raste në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe shitjes së lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, në qytet dhe në zonat bregdetare. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak e sasi të këtyre lëndëve narkotike. Arrestohen 2 poseduesit, njëri prej tyre me precedent penal në fushën e narkotikëve.

Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve, masave dhe pranisë në të gjithë territorin e qarkut, me objektiv garantimin e sigurisë publike, mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin e koduar “Siguria”, gjatë të cilit u arrestuan shtetasit:

– T. P., 33 vjeç, banues në Vlorë, me precedent penal për prodhim/shitje të lëndëve narkotike, pasi gjatë kontrolleve në automjet dhe në banesë iu gjetën 1 armë zjarri (pistoletë), krehër arme, 44 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, si dhe sasi lënde të dyshuar narkotike Kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje;

– A. C., 18 vjeç, banues në Vlorë, pasi u kap në Dhërmi me sasi lëndësh narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, që dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen në zonën bregdetare dhe në qytetin e Vlorës.

Kontrollet vijojnë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.