Aktualitet

U përfitua me dokumente false, sekuestrohet tokë me vlerë 5 milionë euro në Vlorë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë ka vendosur sekuestrimin e dy pasurive me vlerë totale prej 5 milionë eurosh, të cilat dyshohet se janë përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara.

Sipas njoftimit zyrtar, sekuestrimi vjen në kuadër të procedimit penal të vitit 2023, i cili nisi pas kallëzimit të shtetasit K.M.

Hetimet e prokurorisë janë përqendruar mbi shtetasin K.B., i cili akuzohet për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky person kishte përvetësuar sipërfaqe të konsiderueshme toke në mënyrë të paligjshme.

Me kërkesë të organit të akuzës, gjykata ka vendosur nën sekuestro preventive këto pasuri:

1600 m² tokë e llojit “Arë” në Vlorë, aktualisht në zotërim të shtetasve H.B, I.B, K.B dhe S.B.
1900 m² tokë e llojit “Ullishte” po në Vlorë, në zotërim të të njëjtëve shtetas.

Hetimet mbi këtë çështje vijojnë për të zbardhur plotësisht skemën e falsifikimit dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.