Pas 13 vitesh, në Vlorë është mbledhur Konferenca e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Europës Qendrore dhe Lindore. Në fjalën e hapjes, kreu i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Sokol Sadushi deklaroi se ruajtja e qëndrueshmërisë në interpretimin e ligjit është mision thelbësor në forcimin e shtetit të së drejtës, garantimin e sigurisë juridike dhe koherencës së sistemit. Si të rëndësishme, Sadushi vlerësoi edhe gjetjen e balancës mes autoritetit të juridiksionit të brendshëm e detyrimeve ndërkombëtare.
Vendosja e standardeve të përbashkëta, si shqyrtimi në kohë i çështjeve, zbatimi i unifikuar i ligjit apo përdorimi inteligjent i mjeteve digjitale, duhet të jetë pjesë e agjendës së çdo gjykate bashkëkohore, nëse dëshiron të funksionojë me hapin e kohës dhe të fitojë mbështetjen e qytetarëve për një drejtësi cilësore e të përshtatshme me realitetin e sotëm.
Forca e një gjyqësori qëndron në unitetin dhe vizionin e përbashkët, me synimin që drejtësia të bëjë drejtësi. Ne duhet të jemi shembulli më i lartë i integritetit dhe mbrojtësit më të zjarrtë të shtetit të së drejtës.
I pranishëm, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj e vuri theksin te nevoja për uljen e numrit të dosjeve të mbartura. Begaj bëri të ditur se ndërsa vendi po ndërmerr hapa të shpejtë për anëtarësimin në BE, nevojitet angazhim maksimal edhe nga ana e gjyqësorit.
Akses të plotë e të barabartë për qytetarët në sistemin e drejtësisë. Duhet të zvogëlohet numri i dosjeve të mbartura. Garanci për drejtësi në kohë. Sfidë mbeten dosjet e mbartura. Shqipëria po ndërmerr hapa të shpejtë për anëtarësimin në BE. Kjo kërkon angazhim maksimal edhe të gjyqësorit. Kam besim se kjo konferencë do na shërbejë për të mësuar nga eksperienca e njëri-tjetrit.
Presidenti u ndal te përgjegjësia që kanë gjyqtarët e gjykatave të larta, duke theksuar rolin e tyre si garantë të drejtësisë.
Ky rol kërkon profesionalizëm, integritet dhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie publike.
Kreu i Shtetit theksoi se roli i gjyqësorit bëhet edhe më i rëndësishëm teksa shoqëritë e vendeve tona përballen me një larmishmëri sfidash, të cilat kërkojnë zgjidhje jo vetëm juridike, por edhe një frymë që reflekton vlerat tona të përbashkëta demokratike.
Begaj u ndal edhe në dy parimet themelore që garantojnë besueshmërinë, drejtësinë dhe efektivitetin e sistemit gjyqësor, siç janë transparenca e llogaridhënia.