Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dënoi sulmin e armatosur gjatë darkës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Washington DC, ku ishin edhe presidenti amerikan Donald Trump e Zonja e Parë, Melania. Begaj e cilësoi ngjarjen si një akt brutal që minon demokracinë dhe vlerat e saj themelore.
Presidenti shprehu solidaritet të plotë me popullin amerikan dhe uroi shëndet e siguri për presidentin Trump dhe të gjithë të pranishmit në aktivitet.
Dënoj ashpër sulmin e armatosur kundër presidentit amerikan Donald Trump dhe Zonjës së Parë, Melania Trump gjatë darkës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Në demokraci, dallimet zgjidhen përmes ideve dhe dialogut, jo forcës. Sulme të tilla brutale që minojnë demokracinë dhe dëmtojnë vlerat e saj thelbësore janë të papranueshme.
Shpreh solidaritet të plotë me popullin amerikan dhe uroj për presidentin Trump dhe Zonjën e Parë dhe të gjithë të pranishmit të vazhdueshëm shëndetin dhe sigurinë!
Forcat e sigurisë arrestuan agresorin, një 31 vjeçar nga Kalifornia me diplomë në Inxhinieri Mekanike e profesion mësues. Sipas mediave amerikane, ai deklaroi se synonte të qëllonte funksionarë të qeverisë. Një agjent policie mbeti i plagosur lehtë dhe pas trajtimit, la mjediset spitalore.
Rreth 1 orë pas sulmit, presidenti Trump doli në një konferencë shtypi, ende i veshur me kostumin e mbrëmjes gala. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se agresori kishte shumë armë. Trump iu referua si “ujk i vetmuar që donte të vriste”, si dhe e quajti “person të sëmurë”.