Aktualitet

Sot Dita Kombëtare e Drejtësisë, kreu i GJL-së, Sadushi: Besimi te drejtësia ndërtohet çdo ditë!

Sot në kuadër të Ditës Kombëtare të Drejtësisë, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi përcjell një mesazh urimi për gjyqtarët dhe profesionistët e sistemit, duke theksuar rëndësinë e integritetit, paanshmërisë dhe përgjegjësisë në ushtrimin e detyrës.

Kjo ditë nuk është vetëm një moment kujtese institucionale, por edhe një ftesë për reflektim mbi rolin që drejtësia ka në një shoqëri demokratike dhe mbi përgjegjësinë që mbart çdo gjyqtar në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

Sipas Sadushit, drejtësia kërkon dije, integritet, paanshmëri e kurajë, ndërsa vendimmarrja gjyqësore duhet të bazohet në ndërgjegje profesionale dhe respekt për ligjin.

Çdo vendim gjyqësor ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe në besimin publik tek shteti i së drejtës.

Drejtuesi i Gjykatës së Lartë nënvizon se besimi i publikut ndaj drejtësisë nuk mund të kërkohet vetëm nga jashtë, por duhet të ndërtohet përmes mënyrës së punës, arsyetimit, komunikimit dhe përmbushjes së detyrës nga vetë gjyqtarët.

Drejtësia fiton autoritet kur gjyqtari është i gatshëm të reflektojë me ndershmëri mbi përgjegjësinë e tij, të korrigjojë mangësitë dhe të vendosë qytetarin në qendër të shërbimit gjyqësor.

Në mesazh vihet në dukje se besimi ndërtohet çdo ditë përmes vendimeve të arsyetuara, sjelljes së paanshme, transparencës institucionale e respektit për qytetarin.

Në përfundim, kreu i Gjykatës së Lartë shpreh mirënjohje për punën dhe përkushtimin e gjyqtarëve që, pavarësisht sfidave të përditshme, i shërbejnë drejtësisë me përgjegjësi dhe dinjitet.

Drejtësia nuk forcohet vetëm nga ligjet dhe institucionet, por edhe nga karakteri, integriteti dhe guximi moral i atyre që e ushtrojnë atë.