Aktualitet

1 Maji, Begaj: Mirënjohje për punëtorët që ndërtojnë çdo ditë Shqipërinë!

Presidenti Bajram Begaj, uron punëtorët për ditën e 1 Majit duke shprehur nderim dhe mirënjohje për sakrificën, përkushtimin dhe ndershmërinë e tyre.

Në një mesazh të posaçëm, Kreu i Shtetit vlerëson njerëzit e punës së ndershme duke theksuar se janë ata që ndërtojnë çdo ditë Shqipërinë.

Në 1 Maj nderojmë dhe shprehim mirënjohjen më të thellë për njerëzit e punës, të cilët, me përkushtim, sakrificë dhe ndershmëri, ndërtojnë çdo ditë Shqipërinë.

Presidenti Begaj vlerëson ndër të tjera se ata duhen të kenë mbështetje maksimale, ndërsa e konsideron ditën e 1 Majit si një moment kujtese të shoqërisë shqiptare për më shumë drejtësi sociale e solidaritet.

Puna e tyre meriton vlerësim, dinjitet dhe mbështetje maksimale. Kjo ditë duhet të shërbejë si një kujtesë e fortë për të gjithë shoqërinë, që t’u japë punëtorëve, forcës që krijon përparim dhe begati, më shumë drejtësi sociale dhe solidaritet.Faleminderit çdo njeriu të punës!

1 Maji shënon një ditë simbolike për të drejtat e punëtorëve në mbarë botën, duke kujtuar sakrificat dhe arritjet e tyre në historinë e lëvizjes punëtore.