Aktualitet Politikë

Vota e diasporës, PS-PD dakord për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor!

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ranë dakord për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor lidhur me votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë. Këto propozime të PS-PD/së janë dorëzuar në Kuvend dhe do të kalojnë për votim me procedurë të përshpejtuar në seancë plenare. Ndryshimet kanë lidhje me afatin e prodhimit të fletës së votimit, e cila duhet shpërndarë shpejt te emigrantët që do të votojnë me postë.

Propozimet e PS-PD për votën e diasporës:

Në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Titulli i nenit 25/1 riformulohet si më poshtë:

Neni 25/1

“Procedura e votimit nga jashtë”

Neni 2

Neni 25/1, pika 3, fjalia e parë riformulohet si më poshtë:

Neni 25/1

Votimi nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe rezultati zgjedhor

3. Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së nëpërmjet shërbimit postar. Shpenzimet për dërgimin e fletës së votimi dhe çdo materiali tjetër zgjedhor dhe informativ nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tek votuesit nga jashtë, paguhen nga KQZ.

Neni 3

Neni 25/1, pika 4 shfuqizohet

Neni 4

Pas nenit 25/1 shtohet neni 25/2 me këtë përmbajtje:

Neni 25/2

Numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe rezultati zgjedhor

Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në momentin e mbërritjes në KQZ regjistrohen në një regjistër të posaçëm dhe ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria. Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të administruara nga KQZ numërohen dhe vlerësohen në vendin e numërimit të votave nga jashtë të caktuar nga KQZ.

Procesi i numërimit të tyre fillon në të njëjtin moment që fillon numërimi i kutisë së parë me fletë votimi të zonës zgjedhore përkatëse.

Numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë administrohet nga një komision i përbërë prej 4 anëtarësh dhe sekretari, të emëruar nga KSHZ. Propozimi për 2 anëtarë bëhet nga partia më e madhe e pozitës parlamentare dhe për 2 anëtarët e tjerë propozimi bëhet nga partia më e madhe e opozitës parlamentare. Sekretari i komisionit emërohet mbi bazë të aplikimeve të lira dhe duhet të jetë me profesion jurist. Anëtarët dhe sekretari duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në nenet 30 dhe 31 të këtij Kodi.

Nëse numri në listën përfundimtare të zgjedhësve nga jashtë është më i madh se 80 mijë, KSHZ mund të ngrejë më shumë se një komision të numërimit dhe të vlerësimit të votave nga jashtë, me kushtin që vlerësimi i votave të një qarku të kryhet nga i njëjti komision.

Për numërimin dhe vlerësimin e votave KSHZ cakton grupe numërimi të përbërë nga dy anëtarë. Një anëtar propozohet nga partia më e madhe e shumicës parlamentare dhe anëtari tjetër nga partia më e madhe e opozitës parlamentare.

Rregullatori, me propozimin e Komisionerit, përcakton me akt nënligjor dokumentacionin, mënyrën e plotësimit të tij dhe çdo aspekt tjetër për administrimin, vëzhgimin e procesit të numërimit, numërimin, vlerësimin e votës dhe tabelimin e rezultatit zgjedhor sipas këtij neni.