Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se shpreson që Kosovës t’i prijë e mbara dhe vuri në dukje se procesin e zgjedhjeve e sheh si shumë të rëndësishëm, meqë sipas saj, vendi është lider për nivelin e demokracisë në rajon. Këto deklarata i bëri pasi votoi në një qendër votimi në Prishtinë, në mjediset e Fakultetit Teknik.
Duhet ta mbajmë të tillë [nivelin e demokracisë] e duhet që ta zhvillojmë edhe më tej. Sot është ditë vendimtare që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të japin kontribut në këtë drejtim, duke marrë pjesë në procesin më të rëndësishëm, nga i cili përcaktohet parlamenti i ardhshëm, pastaj edhe institucionet tjera, si dhe merren vendime që kanë rëndësi për kualitetin e jetës së tyre.
Më herët, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raportoi se deri në orën 11:00, pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare të Kosovës ishte 8.58%. Pra, nga 1 milion e 970 mijë e 944 votues të regjistruar, 169 mijë e 32 prej tyre kanë votuar në katër orët e para të procesit të votimit.
Dalja është pak më e lartë se në zgjedhjet e kaluara të mbajtura më 2021-shin, kur deri në orën 11:00 kishin votuar 8.3% apo 145 mijë e 650 qytetarë, po deri në orën 11:00 të katër viteve më parë. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili foli gjatë një konference për media, vlerësoi se procesi po shkon normalisht.
I pyetur nëse ka pasur probleme për hapjen e qendrave të votimit, Radoniqi u shpreh se ka pasur disa probleme në qendrat e votimit me kusht e që kanë të bëjnë me llogaritë për ato qendra. Por, vuri në dukje se procesi është në rregull. 28 subjekte politike me mbi 1 mijë e 200 kandidatë po konkurrojnë për mbështetjen e votuesve, për një vend në parlamentin me 120 deputetë.
Votimet në Kosovë pritet të përcaktojnë se kush do ta drejtojë vendin në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. 104 vëzhgues të BE-së janë në terren, në kuadër të misionit, duke mbikëqyrur votimet në Kosovë.