Aktualitet

Vrasja në Elbasan/ Arrestohet Naldo Gjini, kontroll në banesën e tij në Lezhë, dyshohet se përdori “Audi”-n…

Naldo Gjini nga Lezha është arrestuar mbrëmjen e kësaj të hëne në Elbasan, lidhur me vrasjen e ndodhur një natë më parë.

LEXO EDHE: AZHBR abuzim me fondet për bujqësinë/ 2 milionë euro për fermerët në Malësinë e Madhe, tokat e mbjella ishin vetëm në letër!

Ndërkohë, policia po ushtron kontroll në banesën e tij në Lezhë. Gazetarja e Top Channel Brixhilda Deda raporton se dyshohet që ky person ka përdorur më parë mjetin ‘Audi’ që u dogj pas ngjarjes.

Edmond Mëhalla u vra mbrëmjen e djeshme në Elbasan. I njohur edhe si Edmond Hyka, ai u qëllua menjëherë pasi doli nga biznesi i tij dhe u fut në makinë, aty ku u ekzekutua me dy plumba.

Një makinë e djegur u gjet në afërsi të fshatit Mirakë, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd. Dyshohet se automjeti është përdorur nga autorët e vrasjes së biznesmenit.

43-vjeçari, sipas informacioneve, kishte precedentë penalë në fushën e narkotikëve.

Deri tani, të paktën 10 persona janë shoqëruar dhe po merren në pyetje për të zbardhur rrethanat e krimit. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, që po punon intensivisht për shqyrtimin e pamjeve filmike të zonës dhe mbledhjen e provave materiale.

Hetimet vijojnë në disa pista paralelisht, ndërsa operacioni policor në terren mbetet në zhvillim. Autorët e atentatit mbeten ende të paidentifikuar.