Elbasani u trondit mbrëmjen e djeshme nga një atentat me armë zjarri, ku një biznesmen 43-vjeçar u ekzekutua brenda automjetit të tij të parkuar. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku u gjet i vrarë shtetasi Mondi Mëhalla, alias Edmond Hyka.
Sipas të dhënave paraprake, Mëhalla sapo kishte dalë nga zyra, në godinën ku ndodhen bizneset dhe banesa e nënës së tij. Në momentin që hyri në automjet, u qëllua me armë zjarri, duke marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë dhe që i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.
Dinamika e ngjarjes është vlerësuar nga ekspertët si një ekzekutim tipik mafioz, megjithatë nuk përjashtohet mundësia e një konflikti të mëparshëm, ndodhur gjatë javës së fundit, për motive ende të paqarta.
Burime policore bëjnë me dije se automjeti i përdorur nga atentatorët dyshohet se ishte një Audi me ngjyrë të zezë, i larguar me shpejtësi në drejtim të aksit Elbasan–Librazhd.
Deri tani, të paktën 10 persona janë shoqëruar dhe po merren në pyetje për të zbardhur rrethanat e krimit. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, që po punon intensivisht për shqyrtimin e pamjeve filmike të zonës dhe mbledhjen e provave materiale.
Hetimet vijojnë në disa pista paralelisht, ndërsa operacioni policor në terren mbetet në zhvillim. Autorët e atentatit mbeten ende të paidentifikuar.
Sipas të dhënave zyrtare, 43-vjeçari kishte precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Mësohet gjithashtu se ka qenë i përfshirë në një konflikt disa ditë para vrasjes.