Një vrasje ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në qytetin e Dibrës. Një konflikt mes dy fqinjëve, të cilët bullizonin njëri-tjetrin, duke përdorur nofka ka çuar në këtë ngjarje të rëndë ku një i ri humbi jetën pasi u përpoq që të parandalonte përplasjen fizike.
Ngjarja ka ndodhur në Homesh, ku 26-vjeçari Dritan Manjani është goditur me kaçavidë dhe për pasojë ka humbur jetën në spital. Ndërkohë, autori Dorjan Mema është arrestuar nga uniformat blu dhe ndodhet në rajonin e policisë së Dibrës.
“Në orët e vona të mbrëmjes, në Shupenzë shtetasi D.M., 30 vjeç, banues në fshatin Homesh, për motive të dobëta është konfliktuar me shetasin D.M., 26 vjeç, banues në Homesh. Gjatë konfliktit 30-vjeçari e ka goditur me kaçavidë 26-vjeçarin, i cili si pasojë e plagëve ka humbur jetën në spital”, njofton policia.
Sipas informacioneve, një ditë më parë autori Dorjan Mema është konfliktuar me fqinjin e tij. Ata kanë qënë së bashku në kafe dhe konflikti ka nisur aty. Më pas autori Mema ka shkuar në shtëpinë e fqinjit me kaçavidë në dorë për t’u sqaruar dhe situata ka dalë jashtë kontrollit.
Në përpjekje për të ndalur sulmin, viktima Dritan Manjani i ka dalë përpara autorit, i cili po shkonte të qëllonte djalin e xhaxhit të Manjanit. Për pasojë, autori Mema ka goditur me kaçavidë 26-vjeçarin, i cili humbi jetën në spital.