Një krim i rëndë tronditi orët e fundit Kuçovën, ku një grua 64-vjeçe u gjet e vrarë, e hedhur gjysmë e zhveshur në një kanal, pranë banesës së saj në fshatin Havaleas. Trupi i pajetë i Fatime Sulit ishte mbuluar me gjethe e mbetje domatesh ndërsa për krimin e rëndë, policia arrestoi fqinjin e viktimës Fetah Marra, 58-vjeç. Uniformat blu u njoftuan nga familjarët e gruas, të shqetësuar se ajo nuk ishte kthyer në shtëpi.
Pas kryerjes së autopsisë mjeko-ligjore, rezultoi se shkaku i vdekjes së 64-vjeçares ishte asfiksimi nga mbytja me duar. Jo zyrtarisht, mes motiveve të krimit u përmend një borxh i pashlyer që viktima i detyrohej të ndaluarit, por kjo mbetet të konfirmohet.
Njoftimi zyrtar i Policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë, pas marrjes së njoftimit për një shtetase të pajetë në kanal, në fshatin Havaleas, Kuçovë, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje, së bashku me grupin hetimor.
Falë veprimeve të shpejta dhe informacioneve të grumbulluara u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kuçovë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Fetah Marra, 58 vjeç, banues në fshatin Havaleas, Kuçovë, i cili dyshohet se për motive të dobëta, e ka mbytur dhe e ka lënë në një kanal shtetasen Fatime Suli, 64 vjeçe, banuese në fshatin Havaleas, Kuçovë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkaq, të afërm të viktimës e banorë të fshatit e përshkruajnë 58-vjeçarin e arrestuar si person me probleme, i divorcuar disa here dhe aktualisht pa familje. Ata kërkojnë që drejtësia të veprojë duke dhënë dënim maksimal për autorin e vrasjes së gruas, familja e së cilës hapi dyert e mortit.