Aktualitet

Operacion antidrogë në Berat, goditet rrjeti i kokainës/4 në pranga!

Katër persona u vunë në pranga nga Policia e Beratit, pas finalizimit të një hetimi 6-mujor për goditjen e një grupi kriminal që merrej me shitjen e drogave të forta në qytet.

Operacioni antidrogë i koduar “Prova” u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit dhe forcat e posaçme Operacionale dhe “Shqiponja”.

Sipas policisë, janë arrestuar në flagrancë tre shtetas, ndërsa për një tjetër është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Në pranga janë vënë shtetasit S.S., 46 vjeç, A.A., 30 vjeç dhe T.B., 38 vjeç, ndërsa ndaj shtetasit K.S., 18 vjeç, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Të gjithë janë banues në lagjen “Çlirim” të Berat.

Hetimet kanë zbuluar se grupi kriminal siguronte dhe shiste në mënyrë të organizuar lëndë narkotike, kryesisht kokainë, të ndarë në doza për shpërndarje në zona të ndryshme të qytetit.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesa dhe në automjetin e një prej të arrestuarve, policia ka sekuestruar sasi kokainë të ndarë në dhjetëra doza gati për shitje, 7 celularë dhe 1 automjet që dyshohet se përdorej për aktivitetin kriminal.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjet.