Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç deklaroi se Shqipëria dhe Kroacia kanë hapur “garë armësh” duke nënshkruar memorandum me Kosovën, për bashkëpunim në mbrojtje. Kosova, Shqipëria dhe Kroacia e firmosën deklaratën në Tiranë, dy ditë më parë, për të forcuar bashkëpunimin në fushat e mbrojtjes e sigurisë, çka nxiti reagime në Serbi.
Eshtë situatë e vështirë për ne, por e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe, ne do ta ruajmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata e gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor i mundshëm, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm, deklaroi Vuçiç duke folur për gazetarët në Bruksel.
Duke folur pas një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Vuçiç theksoi se memorandumi përbën “shkelje të marrëveshjes nënrajonale” dhe se është “i bindur se NATO-ja nuk ka qenë e njoftuar për këtë”. Ai tha se këtë çështje e ngriti në takim me shefin e aleancës veriatlantike, por nuk tregoi çfarë ka thënë Rutte në lidhje me të.
Eshtë detyra jonë t’ia themi zotit Rutte, njerëzve në NATO dhe gjithë të tjerëve se kjo është shkelje e të ashtuquajturës marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996, u shpreh Vuçiç.
Presidenti serb shtoi se me Rutte-n ka biseduar dhe për situatën në Kosovë e marrëdhëniet mes ushtrisë serbe dhe misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, si dhe për situatën në Bosnjë e Hercegovinë.
Rutte shkroi në X se me presidentin serb bisedoi për rëndësinë kritike të ruajtjes së sigurisë rajonale, si dhe se si të vazhdojnë të forcojnë marrëdhëniet NATO-Serbi.
Deklarata e firmosur nga ministrat e Mbrojtjes së Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës kërkon forcimin e bashkëpunimit trepalësh dhe rëndësinë e reagimit të përbashkët ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të rrezikojnë stabilitetin rajonal.
Deklarata përfshin promovimin e aftësive mbrojtëse dhe bashkëpunimin midis industrive të mbrojtjes, forcimin e ndërveprimit nëpërmjet edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve, kundërvënien e kërcënimeve hibride, si dhe mbështetjen e plotë për integrimin euro-atlantik.
Dokumenti lë të hapur mundësinë për vende të tjera për t’iu bashkuar. Serbia e kundërshton pavarësinë e Kosovës sepse e konsideron shtetin pjesë të saj, megjithëse dialogon me Kosovën, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, në një proces që synon normalizimin e plotë të marrëdhënieve.