Aktualitet Sport

Ylli i Premier League përfshihet në aksident të rëndë! Reagon klubi anglez

Sulmuesi i West Ham, Michail Antonio, ka pësuar një aksident të rëndë automobilistik në Angli, i cili ka tronditur komunitetin e futbollit. Klubi londinez ka konfirmuar ngjarjen pas shpërndarjes së fotove të bëra virale në rrjetet sociale, ku shihej makina e tij “Ferrari” e shkatërruar.

“West Ham konfirmon se sulmuesi Michail Antonio ka pësuar një aksident automobilistik sot. Mendimet dhe lutjet tona janë me të, familjen dhe miqtë e tij”, thuhej në njoftimin e klubit.

Pas aksidentit, klubi bëri të ditur se gjendja e Antonio është stabilizuar dhe se ai ka filluar të komunikojë. Megjithatë, ai vazhdon të jetë nën kujdesin e mjekëve në spitalin qendror të Londrës, ku po merr trajtim. Ky incident ka tërhequr vëmendjen e publikut, duke pasur parasysh se është hera e dytë që sulmuesi xhamajkan përfshihet në një aksident të tillë.

Në Krishtlindjet e vitit 2019, Antonio kishte përplasur një Lamborghini në murin e një banese, duke shkaktuar dëme të mëdha në automjet. Fatmirësisht, në të dyja rastet, sulmuesi ka shpëtuar pa pasur pasoja të rënda për shëndetin e tij.

Të gjithë në klubin e West Ham janë të shqetësuar për gjendjen e Antonio, dhe ata kanë shprehur mbështetje të plotë për lojtarin në këtë periudhë të vështirë. Antonio është një nga lojtarët më të rëndësishëm për ekipin, dhe klubi shpreson që ai të shërohet sa më shpejt dhe të kthehet në fushë.